21korrik 2015 – Policia italiane bllokoi celularin në pronësi të viktimës Ismael Luli, i gjetur i vrarë në zonën e Pesaros në Itali. Shqiptari 17 vjeç ishte masakruar me thikë dhe policia ka arrestuar si të dyshuar për krimin dy patriotët e tij, 20 dhe 21 vjeç.

Në telefon është gjetur mesazhi i fundit që i kishte dërguar familjarëve: “Po iki në Milano. Mos më kërkoni”. Dyshohet se mesazhi është shkruar nga autorët, për të shtyrë kërkimet për adoleshentin.

Trupi i tij u gjet në pyll. Fillimisht policia dyshoi për krim që lidhet me çështje droge, por nga orë në orë ka më tepër dyshim se bëhet fjalë për një krim pasioni, në lidhje me ndonjë vajzë. Forca të shumta kanë kërkuar në zonë (siç tregohet në foto) për të gjetur armën e krimit, por nuk kanë arritur dot. Sipas hetuesve italianë mund të ketë ndodhur që djali të jetë vrarë diku tjetër e më pas të jetë hedhur në pyll.

Ismael Luli ishte larguar nga shtëpia të dielën dhe vetëm dje u gjet i masakruar. Ai ishte me duar e këmbë të lidhura.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/