21 korrik 2015 – Italianët nuk janë rigorozë për sigurinë teknike të anijeve që punojnë me linjat shqiptare, kjo e ka shtyrë Tiranën zyrtare të kryejë inspektim të thellë edhe të detajuar mbi problematikën e ndodhur me tragetin “Marina”.
Në një komunikatë për shtyp, Ministria shqiptare e Transportit dhe Infrastrukturës (MTI) ka thënë se në lidhje me defektin teknik të anijes me flamur italian “M/V Marina”, e cila kryen linjën detare Ankona-Durrës-Ankona, Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme Detare, ka ngritur menjëherë një grup të posaçëm pune, i cili do të kryejë një inspektim të thellë edhe të detajuar për të hetuar problematikën e ndodhur me tragetin “Marina”.
MTI-ja konfirmon se: kompania detare “Adria Ferries”, që menaxhon këtë anije, është në proces licencimi edhe u është nënshtruar disa inspektimeve të njëpasnjëshme. Ministria në mënyrë të përsëritur ka kërkuar rritjen e standardeve të sigurisë së trageteve dhe shërbimeve që ato ofrojnë. Në përfundim të inspektimit do të merren masat e nevojshme sa i përket licencimit të mëtejshëm dhe shërbimit të ofruar nga këto linja.
Është interesante se dikasteri i z. Edmond Haxhinasto
“u kërkon autoriteteve italiane, të cilat janë përgjegjëse për aprovimin e kapaciteteve teknike, të jenë rigoroze në inspektimin dhe certifikimin e kritereve dhe veçorive teknike të anijeve”.
Me sa duket, po hidhet zyrtarisht dyshimi për organet përkatëse shtetërore të Apenineve, të cilat neglizhojnë në klasifikimin dhe kontrollet në mjetet lundruese në linjat e Adriatikut, gjë që dëshmon jo vetëm për korrupsion të mundshëm, por edhe për një qëndrim racist ndaj shqiptarëve.
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





