21 korrik 2015 – I ftuar në emisionin “Shih Programin” te gazetarit Enkel Demi në TVSH, kreu i FSHF-së, Armando Duka, theksoi se kombëtarja përveç synimit për 1 pikë në Danimarkë, ai i vë notën 8 dhe trajnerit ndoshta më të suksesshëm që ka pasur ndonjëherë kombëtarja, De Biazin.
Vendimi i Gjykatës së Arbitrazhit Sportiv në Lozanë, ishte një vendim që mund të themi se na ndihmoi Zoti, apo e meritonim?
Personalisht kam besuar gjithmonë se do t’ia dilnim. Por nëse nuk ke argumentet e duhura ligjore, nuk ke se çfarë t’i bësh. I gjithë opinioni mediatik, duhej sqaruar se nuk ishte faji i Shqipërisë. Duhej argument i fortë juridik për të arritur një rezultat pozitiv. Ne ishim të sulmuar, dhe të mbrojtur vetë në të njëjtën kohë në Beograd. Shumëkush ka hamendësuar për çfarë ka ndodhur, shumëkush nuk ka thënë të vërtetën. Ndoshta dikush nga dëshira e madhe që ne duhet të fitonim ka qenë i paarsyeshëm në publikimet e tij, por unë edhe 100 herë do të veproja siç kam bërë deri më tani.
UEFA sikur bëri dhe akuza ndaj delegacionit të FSHF-së?
Jo, më shumë sesa UEFA, akuzat erdhën nga “brenda”, u sulmuam për seriozitetin e studios ligjore të kontraktuar nga ne. Studio ligjore është më e mira për sport, pavarësisht se shumëkush e komentoi si të lodhur. Për çështje sportive e provoi edhe në këtë rast se është më e mira.
A do të pranoni tifozë serbë në ndeshjen e kthimit Shqipëri-Serbi?
Nuk besoj se do të ketë tifozë serbë. Aty nuk duhet të ketë as tifozë fanatikë shqiptarë. Duhet të jenë tifozët familjarë. Tifozëve madje do t’iu kërkohet nga ana jonë që të vijnë me familjet. Kush vjen me fëmijët do të ketë një ulje në biletë.
Miku ynë i përbashkët Dritan Shakohoxha ka bërë një intervistë me Ismail Morinën, të njohur dhe si Ballist Morina. Digitalb ka nisur dhe një fushatë për ta ndihmuar. A është hero ky personazh?
Unë dua të theksoj se çdo gjë që është e parregullt, nuk duhet bërë. Nëse "banner-i" do të sillte pasoja pozitive do të ishte një veprim i mirë. Ne mund edhe ta kishim fituar atë ndeshje se po luanim mirë. Por nga ana tjetër emocionalisht edhe neve na lehtësoi, na shpërtheu në një farë mënyre, sepse kishte shume tension në atë ndeshje. Pati gjeste jo etike, sharje që përpara se të hynim ne stadium. Ndeshja u ndërpre disa herë për shkak të tensionit.
Jemi me afër tani për t’u kualifikuar në Europian, sesa në ’86-n me golat e të madhit Ben Minga?
Shanset tona tani janë 70 për qind që të kualifikohemi. Unë besoj që me 1 pikë në Danimarkë do të fitojmë.
Keni keqardhje për shortin e Botërorit?
Shorti i botërorit është shumë mirë. Shumë mirë që e kemi Serbinë në grup, sepse duhet të normalizohen marrëdhëniet dypalëshe.
Vendi i tretë në grup është i sqaruar, është një “gol” i UEFA-s ky?
Jo, kjo është rregullorja. Nëse do të luanim për Kupën e Botës do të ishim të dytët.
A keni një koment për heshtjen e UEFA-s për KAS?
Qëndrimin e kanë mbajtur në seancë, nuk kanë pse ta komentojnë, apo pse të kenë hasmërira, siç shumëkush pretendon. Ata duhet ta shohin këtë vendim si të drejtë.
Nëse kualifikohemi, ndryshojnë financat e FSHF-së?
Jo shumë, por diçka ka. Por është shumë më i vogël përfitimi financiar para atij shpirtëror.
Ne e financojmë pak futbollin apo jo?
Jo, ne jemi me vetëfinancim, nuk financohemi. Kontributi qeveritar është zero. Ne ia dalim me të ardhurat tona dhe të ardhurat si anëtarë të FIFA-s dhe UEFA-s. Ka mbi 10 vjet që nuk marrim asgjë nga shteti.
Mund të më jepni një notë për trajnerin De Biazi nga 1-10?
Mund t’i vë 8. E meriton se është i përkushtuar në 100 për qind të kohës së tij. Unë kam eksperiencë me trajnerë të huaj si Dosena, Brigel, Han, Kuzhe, etj, por De Biazi është ndryshe, është shumë i përkushtuar. Ai edhe në qoftë se ka ekipi një stërvitje në 5 pasdite, ai vjen që në orën 09.00 dhe bën çdo gjë gati. Deri para se të vinte De Biazi unë njihja çdo talent shqiptar, por që kur ka ardhur ai unë mund të rri i qetë, pasi ai njeh edhe 12-13-vjeçarët që janë talente. Ai është vetëm pak emocional në drejtimin e 90 minutave të ndeshjes. Nëse nuk do të kishte këtë do t’i vija notën 10.
Pse nuk e rinovojmë kontratën me teknikun?
Sepse do të shpërqendroheshim. Duhet të përqendrohemi para ndeshjes me Danimarkën. Trajneri është në kontratë deri në 2016-n. Ai është profesionist.
De Biazi është një trajner shumë i kërkuar, karizmatik, nuk keni frikë se ikën?
I ka ardhur një shifër, por ai është në kontratë, ai është profesionist, do të shkojë deri në fund.
Kombëtarja ka shtuar edhe 4 lojtarë të rinj nga Zvicra?
Do të kemi të reja në shtator, do të kemi të reja dhe në fushë. Besoj se në strategjinë tonë kemi një parim: “Duhet të luajnë vetëm shqiptarë në ekipin tonë”. Kjo pasi ekipi ynë duhet të përçojë mënyrën sesi e përcjellin shqiptarët garën e futbollit. Ne nuk duam p.sh një brazilian në ekipin tonë. Ekipi duhet të përcjellë mesazh, pasi të gjithë janë përfaqësues të kombit tonë. Unë ekipin e preferoj me shqiptarë.
Sikur të donte të luante Pero Pejiç me Shqipërinë, nuk do ta lejoje?
Jo, nuk do ta merrja. Kemi Balën shumë më të mirë.
Kemi një djalë të ri i cili sapo është federuar me Interin, Rei Manaj, talent i mundshëm u kombëtares?
E rëndësishme është që të vlerësohen futbollistët mbi 20 vjeç. Edhe ne përfshihemi shpesh që t’i sistemojmë talentët e rinj.
Ka gjasa që ndeshja me Serbinë të mos luhet në Shqipëri?
Asnjë shans.
Si i keni ndërkohë marrëdhëniet me Platininë?
Unë shfrytëzoj çdo lloj marrëdhënie për të bërë më të mirën për futbollin shqiptar. Pas Beogradit i kam thënë që gaboi. Ai nuk duhej të fliste ashtu. Ai mund të bënte një deklaratë politikisht korrekte, të thoshte: “Dënoj dhunën”. Ai gaboi në qëndrim, por nuk besoj se ka gjë më Shqipërinë.UEFA na ka ndihmuar.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/