20 korrik 2015 – Futbollisti i Bazelit në kampionatin zviceran të futbollit dhe kombëtares sonë, 27-vjeçari Shkëlzen Gashi ka marrë trofeun e golashënuesit më të mirë të sezonit të kaluar.
Sulmuesit shqiptar të Bazelit i është dorëzuar ky çmim përpara fillimit të takimit të javës së parë të kampionatit ku Bazeli përballej me Vaduzin. Ka qenë vetë presidenti i ligës së kampionatit zviceran Heinrih Shiferle, ai që i ka dhënë çmimin sulmuesit të kombëtares sonë. Këtë çmim Gashi e fiton për të dytin vit radhazi. Në sezonin 2013-2014, atëherë kur aktivizohej me skuadrën tjetër zvicerane, “Grasshopers”, Gashi u shpall golashënuesi më i mirë me 19 gola të realizuar, ndërkohë e përsërit këtë sukses edhe një vit më pas me Bazelin duke realizuar 22 gola me këtë fanellë.
Shkëlzen Gashi i lindur më 15 korrik 1988 në Zyrih, ka qenë që në fillimet e karrierës së tij pjesë e ekipeve kombëtare zvicerane U-17 dhe U-19, dhe më pas në vtin 2013 thirret nga De Biazi në kombëtaren e Shqipërise. Gashi me golin e tij i dha fitoren 2–1 ekipit tonë kombëtar në ndeshjen kundër Armenisë luajtur ne 29 mars të këtij viti.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/