· Mbyllet me sukses stërvitja komplekse ujore “Pashalimani-2015”
FOTOREPORTAZH NGA SHEFQET KËRCELLI
20 korrik 2015 – Për bazën e Pashalimanit ndër vite janë shkruar më qindra artikuj, reportazhe, tregime, poezi dhe drama, janë xhiruar plot filma dhe dokumentarë, të cilët kanë mbushur faqet e gazetave dhe ekranet e televizorëve tanë. Me gjithë këtë shumore veprash artistike, historike dhe ushtarake është njohur jo vetëm opinioni shqiptar brenda dhe jashtë vendit, por dhe opinioni i huaj dhe shqiptarët që jetojnë jashtë kufijve tanë.
TË ZBULOSH DIÇKA TË RE
Gjithkush, sa herë shkruan për të, përpiqet të zbulojë diçka të re, ndërsa interesi dhe kërshëria e shqiptarëve, mjaft prej të cilëve kanë shërbyer në këtë bazë, me ose pa uniformë, është e përhershme: çfarë ndodh në bazën e Pashalimanit, sa anije kemi ne, çfarë bëjnë marinarët atje? Të paktën këto pyetje i bën çdo qytetar i thjeshtë cilitdo që e sheh me uniformë marinari. Mbi të gjitha është fakt që çdo familje shqiptari ka pasur një pjesëtar të familjes, fisit, mëhallës, fshatit, lagjes, qytetit që ka shërbyer në këtë bazë në detyra të ndryshme. Shqiptarët sa janë të ndjeshëm ndaj detit, aq janë të ndjeshëm ndaj uniformës së marinarit. Ndërsa ata më të diturit, gjithfarë analistësh, politologësh, historianësh, e shtrijnë diskursin e tyre më larg: hedhin mendime dhe shtrojnë teza për rëndësinë gjeopolitike të kësaj baze në shekuj apo për të ardhmen e afërt ose të largët. Sigurisht që Baza e Pashalimanit është pasuria më me vlerë jo thjesht e Forcës Detare, por e popullit shqiptar. Natyra dhe zoti i ka falur popullit tonë koordinatat më të mira gjeografike duke i dhuruar këtë bazë. Tashmë baza e Pashalimanit e ka marrë trendin e saj që në vitin 1990, ajo është bazë e përbashkët e shqiptarëve dhe NATO-s. Natyrisht, molet e saj kërkojnë investime në infrastrukturën e saj për të siguruar standardet e simotrave të saj të NATO-s, duke lehtësuar kështu bregëzimin dhe furnizimin e çdo anije ushtarake dhe civile. Dhe për këtë i kemi të gjitha mundësitë, pasi kemi natyrën dhe relievin e përshtatshëm, por mbi të gjitha specialistët dhe lundërtarët trima të kësaj baze, që ditë e natë sigurojnë hapësirat tona detare.
BAZA GJALLËROHET SA HERË KA MIQ DHE VIZITORË
Këtë më tha një nga shoferët e bazës, Ilir Nelaj, teksa bënim rrugën nga Orikumi në Pashaliman. Iliri është një qytetar i vjetër vlonjat dhe e ka lidhur jetën me këtë bazë. Ai me shpjegon lidhjen e tij të hershme me ushtrinë, ku si babai dhe miqtë e tij kanë punuar për shumë vite si shoferë në ushtrinë shqiptare, ndërsa Iliri është më me fat, se po i përfaqëson ata duke ushtruar këtë zanat në një repart me emër siç është baza e Pashalimanit. Ndërkohë Iliri veç profesionit të shoferit, stërvit një ekip mundjeje në qytetin e Vlorës, ku është dhe djali i tij i madh, të cilët do jenë kontingjent dhe për ushtrinë dhe marinën shqiptare. Ka disa vite që e kam lidhur jetën me këtë bazë, ashtu si qindra vlonjatë të tjerë, më thotë Iliri. Një njeri i thjeshtë, gojëmbël, Iliri përcjell çdo ngjarje apo zhvillim të bazës, me ndjeshmërinë e një njeriu të thjeshtë, por që ka brumin, dhembshurinë dhe sinqeritetin brenda. Respektoj rrëfimin dhe opinionin e këtyre njerëzve, që djersijnë shumë dhe flasin pak. Kështu mbas kontrollit rutinë në postbllok, duke përshkuar rrugën që të çon në bazë, kaluam shpejt objektet arkeologjike të Orikumit. Disa metra më tutje, Iliri më tregoi disa çadra dhe dy godina në të majtë,- janë paqeruajtësit tanë më tha, po stërviten së bashku me detarët e bazës. Në më pak se gjysmë milje, na shfaqen godinat e kantierit, ku të gjitha shkallët, ambientet dhe molet ishin mbushur me anije ushtarake dhe civile, që riparonin defektet e ndryshme. Pamja të tregonte një gjallëri të pazakontë. Kanë ardhur dhe specialistë amerikanë këtu, më shpjegon Iliri, janë duke riparuar anijet bashkë më mjeshtrit tanë të kantierit dhe ekuipazhet e anijeve. Kam disa dekada që ndjek aktivitetin e bazës më të madhe detare të vendit. Të them të vërtetën, më pëlqeu pamja që më afroi kjo ditë e nxehtë korriku bashkë me rrëfimin e thjeshtë të Ilirit, që vërtet e donte këtë bazë me gjithë qenien e vet. Në fakt sa herë shkoj në Pashaliman dua të shkruaj diçka të re për të, dhe në këtë rast më ndihmoi mençuria e qytetarit vlonjat, -sa herë ka miq gjallërohet baza, më thotë Iliri, pasi këtë muaj kemi paqeruajtësit tanë dhe inxhinierët amerikanë të anijeve.
NË FUNKSION TË STËRVITJES
Ndalesa jonë e radhës është sheshi kryesor para Komandës së Flotiljes, ku marinarët dhe specialistët ishin rreshtuar për të zhvilluar një stërvitje tepër specifike, luftën në det, bazuar në situatë reale dhe koncepte bashkëkohore. Zëvendëskomandanti i Flotiljes, kapiten i rangut II, Engjëll Sinanaj, është në krye të detyrës bashkë me efektivin:
“Kemi bërë gjithçka për zhvillimin normal të kësaj stërvitjeje. Në këtë mes kemi gërshetuar detyrën me mikpritjen. Kemi vendosur ambiente stërvitore, akomodim, fjetje dhe ushqim, masa sigurie, mbështetje shëndetësore, anije, grupin e bordingut dhe zhytësve, thuajse gjithë personeli i flotiljes është angazhuar për realizimin me sukses të kësaj stërvitjeje”.
Më 14 korrik 2015 u zhvillua faza finale e stërvitjes nënujore. Djemtë e detit, tokës dhe ajrit, kishin 20 ditë që ushtronin veprime stërvitore në ujërat e Pashalimanit, veprime të ndryshme taktike, notime të gjata deri në 4 milje, zhytje në thellësitë e ujërave të këtij gjiri. Mbas angazhimeve të shumta në Irak dhe Afganistan, forcat tona speciale kishin disa vite që nuk kishin zhvilluar stërvitje në det. Ndërkohë që misioni dhe detyra e tyre përmbledh çdo lloj relievi, moti e natyre. Ndaj serioziteti, përkushtimi dhe mobilizimi ishte në nivelin maksimal.
Një stërvitje e këtyre përmasave në këtë bazë të rëndësishme u ndoq drejtpërdrejt nga Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, gjeneralmajor Jeronim Bazo, me stafin e tij. Gjeneral Bazo u prit nga zëvendëskomandanti i Flotiljes, kapiten i rangut II, Engjëll Sinanaj, Komandanti i Batalionit të Forcave Speciale, nënkolonel Qazim Hoxha, shefi i degës operacionale të FD, kapiten i rangut II Eduard Jeminaj dhe trupat pjesëmarrëse. Ndërkohë që personeli dhe mjetet lundruese ndodheshin në rajonin e stërvitjes, major Agron Kuta shpjegoi detajet dhe skenarët e kësaj stërvitje taktiko-komplekse ujore. Qëllimi i stërvitjes ishte ruajtja e kapaciteteve operacionale, integrimin i tyre në tokë, det dhe ajër, për përmbushjen e misionit dhe detyrave të këtij reparti special, nënvizoi major Kuta. Ndaj në stërvitje morën pjesë dhe efektivë nga tri forcat: tokësore, ajrore dhe detare. Para se të arrihej në fazën finale këto efektiva zhvilluan ushtrime të ndryshme në det, që nga zhytjet në thellësi, not në distancë të mëdha me pajime, ditën dhe natën, operacione speciale në anije, bordim dhe kontroll anijes, zbarkimi dhe imbarkim me mjete të thjeshta, operacione zbulimi, braktisja e mjetit në rast dekonspirimi të detyrës, maskimi në det, kapja dhe neutralizimi i objekteve dhe personave terroristë nga deti, shpëtimi i efektivit të marrë peng, etj. Ajo kishte objektiv kryesor kompaktësimin e batalionit në gjithë nivelet e tij, mundësi reale për aftësimin e drejtim-kontrollit, harmonizimi i elementëve operacionalë dhe logjistikë, vënia në eficencë e teknikës dhe pajimeve në përdorim, bashkërendim i veprimeve midis tri forcave.
Ndërkohë gjatë praktikimit të këtyre elementëve u synua shfrytëzimi i kohës në interes të stërvitjes, ulja e kostos financiare, mundësi të tjera të FA për realizmin e stërvitjeve të ndryshme, etj. Më parë djemtë tanë kishin bërë përnjohjen dhe kishin peshuar çdo milje, kabëll, pash, pulqer e djujm të detit me not. Pra, stërvitja u zhvillua në kushte reale për çdo temë e element përbërës të saj. Pastaj këta djem vinin në këtë stërvitje nga shkretëtirat e Kandaharit dhe kishin disa vite që nuk kishin “shijuar” ujërat jonian-adriatikase. Sigurisht, këta djem të fortë, elitë e ushtrisë shqiptare ndër vite, janë trajnuar vazhdimisht nga instruktorë amerikanë dhe aleatë të tjerë.
NJË BETEJË DETARE KUNDËR ELEMENTEVE TERRORISTE…
Stërvitja, kjo betejë e vogël detare, filloi me një demonstrim të forçave speçiale për kapjen dhe neutralizimin e një grupi terrorist që kishte kapur një objekt të bazës detare. Në sajë të veprimeve të shpejta nga deti, djemtë tanë me shkathtësi, ekselencë e forcë arritën të hyjnë në objekt dhe të kapin terroristët. Si ish-ushtarak ndjej kënaqësi kur shoh stërvitje të tilla. Gjithçka e përsosur, reale, me sa duket këta djem, në këtë performancë të pazakontë i ka ndihmuar dhe përvoja në operacionet paqeruajtëse në Irak dhe Afganistan. Por ndërkohë që këta luftëtarë po çonin terroristët e lidhur, anija me të cilën ata zbarkuan, ishte marrë peng nga një grup tjetër terrorist, i cili po ushtronte dhunë mbi ekuipazhin e saj. Situata u bë më komplekse. Por, në një kohë rekord, zhytësit, grupi i përbashkët i bordingut, mbështetur nga një helikopter i Forcave Ajrore u futën në anije dhe bënë të mundur çlirimin e ekuipazhit dhe lirimin e anijes. Pavarësisht veprimeve të kundërshtarit për përmbysjen e mjeteve lundruese dhe mbytjen e forcave tona në det, specialët dhe marinarët tanë me veprimet e tyre të guximshme ju shmangën këtyre kurtheve. Për më se një orë baseni i Pashalimanit u shndërrua në një ujëmbledhës beteje. Hapësira midis anijeve të bregëzuar në molet e bazës u kthye në një teatër lufte. Nëpërmjet demonstrimeve të varianteve taktikë dhe skenarëve të ndryshëm u konkretizuan elementë të luftës antiterror, çlirimi i pengjeve në tokë dhe det, sigurimi i anijes, operacione SAR, një stërvitje me kushte dhe situate reale, pasi dhe moti qëlloi me det dhe erë. Një spektakël ku u gërshetua spektri i gjithë operacioneve në det, këtë na dhuruan djemtë tanë të forcave speciale dhe marinarët e flotiljes. Ndërkohë dhe grupi i bordingut i Forcës Detare, me komandant kapitenlejtënant Spartak Shytin, për gjatë gjithë kohës ishte pjesë e stërvitjes me forcat speciale. Ai siguroi rajonin e stërvitjes, anijen “Butrinti”, pjesëmarrëse në këtë stërvitje, dhe shkëmbeu përvojën me djemtë e tokës.
NË KUSHTE REALE
Sigurisht stërvitje të tilla me një dinamikë reale të dhurojnë emocione të veçanta dhe meritojnë vlerësime pozitive. Këtë theksoi dhe Shefi i Shtabit të Përgjithshëm Gjeneral Bazo, mbas përfundimit të stërvitjes. Gjenerali përgëzoi efektivat pjesëmarrës për rezultatet e arritura në këtë stërvitje dhe theksoi përmirësimin e teknikave të saj në të ardhmen. Gjithashtu Gjenerali falënderoi efektivin e flotiljes për masat e mara dhe kushtet e siguruara në mbarëvajtjen e kësaj stërvitjeje. Në vijim Gjeneral Bazo shprehu vlerësim dhe konsideratë të veçantë për punën dhe profesionalizmin e trupave të angazhuara në këtë stërvitje dyjavore:
“Nuk është thjesht çështje noti…ju jeni asa në tokë, por jeni edhe në det shumë të mirë. Këtë e treguat në stërvitjen e sotme. Situata reale është e vështirë për këto detyra, askush nuk i kupton kushtet reale menjëherë dhe kjo ishte një stërvitje në kushte reale. Ju përgëzoj për këtë stërvitje në kushte të detit. Është një sakrificë e shtuar, një vlerë e shtuar për efektivat tanë. Sa veta e bënë katërmilshin not? Të gjithë specialët tanë. Kam besim se elementet e kësaj stërvitjeje specifike do harmonizohen e përmirësohen në të ardhmen”.
Gjatë vizitës në bazën e Pashalimanit, Shefi i Shtabit u ndal dhe në kantierin detar, ku u njoh me punën konkrete që po bëjnë specialistët shqiptarë dhe amerikanë për riparimin e anijeve. Në fund të vizitës gjenerali vizitoi kampingun e forcave speciale, ku u diskutua mundësia e ngritjes së një kampingu të përhershëm në këtë bazë, duke riparuar objektet ekzistuese, i cili mundëson zhvillimin optimal të stërvitjes nënujore në vitet e ardhshme. Kështu baza e Pashalimanit ka mjaft kohë që po përjeton një dinamikë dhe gjallëri të pazakontë, ku kryesore janë operacionet në det. Djemtë tanë të detit dhe të tokës i gjen kurdoherë në gatishmëri për çdo sfidë që do i dalë para. Ndaj ne duhet të ndjehemi krenarë për atë çka ata bëjnë në shërbim të sigurisë në vendin tonë e në radhët e koalicionit antiterror.
Pashaliman, korrik 2015
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





