20 korrik 2015 – Kurorëzimi me sukses i një aktiviteti kombëtar dhe arritja e objektivave mbetet dhe synimi kryesor i drejtuesve më të lartë të Federatës Shqiptare të Peshëngritjes. Kampionati i fundit për të rinj dhe paratërinj zhvilluar përgjatë gjithë ditës së shtunë në Durrës, u ndoq nga afër nga e gjithë kryesia e kësaj federate me në krye presidentin e saj Elez Gjozaj.

Lidhur me mbarëvajtjen e këtij aktiviteti, presidenti Elez Gjozaj u shpreh:

“E vlerësoj si një aktivitet mjaft të suksesshëm, jo vetëm nga pjesëmarrja e gjerë, por edhe nga serioziteti i lartë në gara dhe rezultatet e arritura duke treguar edhe një herë se peshëngritja mbetet ende një sport elitar dhe mjaft popullor. Sportistët cilësorë dhe të perspektivës nuk na mungojnë, dhe mbështetja jonë për ta do të jetë maksimale.

Risi në këtë aktivitet ishte pjesëmarrja për herë të parë e një ekipi nga Kosova dhe gjej rastin të falënderoj stafin e ekipit kosovar i kryesuar këtu nga sekretari i përgjithshëm i Federatës Kosovare të Peshëngritjes Astrit Hasani. Kjo ishte eksperienca e parë, por jam i bindur se në të ardhmen do të kemi një bashkëpunim më të ngushtë dhe më të frytshëm në të mirë të zhvillimit të këtij sporti në Shqipëri dhe Kosovë.”

Astrit Hasani – Sekretar i Përgjithshëm i Federatës Kosovare të Peshëngritjes:

“Falënderoj presidentin e Federatës Shqiptare të Peshëngritjes Elez Gjozaj për ftesën e bërë, ku për herë të parë një ekip nga Kosova bëhet pjesë e një aktiviteti kombëtar në Shqipëri. Jemi një federatë e re në zhvillim e sipër e njohur nga Federata Europiane dhe ajo Botërore e Peshëngritjes në fund të vitit 2008. Aktualisht në krye të ekipit tonë kombëtar kemi një trajner nga Shqipëria, Ilir Tafaranin, i cili me eksperiencën e tij po bën një punë mjaft të mirë në Kosovë për zhvillimin dhe ngritjen cilësore të këtij sporti te ne. Kemi peshëngrites cilësorë, mjafton këtu të përmend Arbnor Krasniqin, i cili në muajin nëntor të këtij viti do të marrë pjesë në kampionatin botëror të peshëngritjes për të rritur që do të zhvillohet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Besoj në një bashkëpunim edhe më të madh në të ardhmen mes dy federatave tona të peshëngritjes. Vetëm pas pak ditësh një ekip me 17 sportistë kosovarë do të vijë në Durrës për të kryer një fazë përgatitore. Në kampionatin kombëtar të peshëngritjes në Kosovë që do të zhvillohet më 28 nëntor të këtij viti do të jetë i ftuar edhe një ekip nga Shqipëria.”

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/