527 pasagjerë në bord: Me fat që motori nuk u prish në mes të detit
19korrik 2015 – Ngjarja me tragetin “Marina” të kompanisë “Adria Ferries” duket si prolog i hidhur i ditëve të verës, kur fluksi i udhëtarëve arrin kulmin e tij. Plot 527 persona do t’u duhet të presin më shumë se dy ditë për të bërë një lundrim drejt vendlindjes, në mes të vapës dhe ankthit për familjarët.
Burime nga pala italiane thonë se një defekt në motorin e tragetit bëri që pas 1 orë lundrim nga Ankona me destinacion Durrësin, gjithçka të anulohet. U desh një rimorkiator për ta kthyer pas në port tragetin e tejmbushur me qindra shqiptarë, kryesisht emigrantë, si dhe me vetura e kamionë që transportojnë mallra. Kjo ngjarje ndodhi në mes të korrikut, me një det të qetë, për të thënë me fat që vetëm një orë lundrim nga bregu. Larg mendjes të imagjinohet që një situatë e tillë të ngjasë në dimër apo në mes të detit.
Por u desh ky incident që të rikthehet dhe një herë fenomeni i trageteve që bëjnë sot linjën nga porti i Durrësit drejt atyre italiane. Vetëm dy ditë më parë, kryeministri Rama foli me superlativa për transportin detar, si mundësi ekonomike dhe njëkohësisht e sigurtë udhëtimi që lidh Shqipërinë, Kosovën e më tej me Perëndimin. Po sa i sigurtë është në fakt një lundrim i tillë?
Një pjesë e madhe e trageteve datojnë të jenë ndërtuar prej dekadash dhe janë ende në shfrytëzim. Rasti më i fundit shënohet ndër më të “rinjtë”, edhe pse “Marina” i ka mbushur 21 vite të jetës së saj. Dhe është trageti i vetëm që lundron nga Ankona drejt Durrësit 3 herë në javë. Ndërsa nga Bari, nisen çdo ditë 2 tragete, ashtu si edhe nga Durrësi, por me kapacitet shumë më të vogël. Prej tyre, si rasti i “Rigel 1” është i ndërtuar në vitin 1973, ndërsa tjetri në vitin 1980.
Vite më parë, Avokati i Popullit iu drejtua me një letër të hapur krerëve të shtetit, duke u bërë të njohur situatën e trageteve. “Me këto mjete ku lundrojnë mijëra shqiptarë e të huaj, nuk mund të pretendojmë të jemi pjesë e BE-së”, tha në atë kohë Emir Dobjani.
Situata duket e njëjtë edhe sot. Aktualisht, udhëtarët janë të detyruar të zgjedhin një ndër tragetet që janë në treg. Edhe pse ata ankohen për kushtet brenda tyre dhe faktit që shpeshherë ndodhin defekte të paparashikuara, asgjë nuk ndryshon. Pas disa ditësh pritet të hyjë në treg një traget i ri, por duhet të presim për të parë diferencën.
Pas ngjarjes së fundit, reagimet e komentet janë të shumta. “Me këtë gjendje që janë tragetet tona është fat që nuk u ça në mes të detit”, flasin të irrituar ata.
Incidenti me presidentin Topi
Rastësi apo jo, po 3 vjet më parë, fiks më 19 korrik të vitit 2012, në mes të detit mbeti edhe ish-presidenti Bamir Topi. Ai qëndroi për 12 orë në det të hapur, bashkë me qindra emigrantë që prisnin kthimin në vendlindje. Një defekt në tragetin e linjës Bari-Durrës, “Adriatica” bëri që të ndërpritej energjia elektrike dhe mjeti të qëndronte për orë të tëra në det të hapur derisa u rregullua. Topi po kthehej nga një vizitë në Pulia në atë kohë.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





