18 korrik 2015 – Ndeshja Serbi-Shqipëri vazhdon të krijojë probleme mes tifozëve të dy kombëtareve, edhe në shtete të tjera. Incidentet këtë radhë kanë ndodhur në një kamp azilantësh në krahinën e Kirshhaimer, në Gjermani, ku mes 2800 personave të regjistruar atje ka shumë shtetas shqiptarë dhe serbë.

Sipas policisë lokale, natën e 10 korrikut, një grup prej rreth 250 azilantësh shqiptarë ka festuar në këtë kamp vendimin e dalë nga CAS-i i Lozanës që i dha tri pikët në tavolinë përfaqësueses shqiptare për incidentet e 14 tetorit në Beograd. Kjo festë duket se nuk u ka pëlqyer shumë azilantëve serbë, të cilët qëndronin në të njëjtin kamp dhe disa prej tyre janë organizuar për të sulmuar shqiptarët.

Ndërhyrja e forcave të rendit gjermane të vendosura në këtë kamp ka shmangur një përplasje të dhunshme mes palëve për incidentin i cili nuk është i pari i këtij lloji. Trazirat më të mëdha si pasojë e ndeshjes së tetorit, janë shënuar në Austri, ku tifozeritë e dy kombëtareve kanë kryer akte vandalizmi në rrugët e Vjenës.

Pas këtyre incidenteve, u vendos që të shtyhej edhe ndeshja e kampionatit rajonal mes ekipit Albania SV dhe Serbia KE, të planifikuar pak ditë pas ngjarjes së tetorit, duke iu frikësuar incidenteve të mundshme. Zhvillimi i ndeshjes në shkurt krijoi përsëri probleme, pasi gjatë fitores 2-1 të Albania SV, tifozët serbë tentuan të sulmonin tifozët shqiptarë, të ndaluar në kohë nga policia austriake.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/