17 korrik 2015 – Dy skuadrat shqiptare që vazhdojnë rrugëtimin e tyre në kupat e Europës, respektivisht Skënderbeu në Champions League dhe Kukësi në Europa League, kanë njohur kundërshtarët e mundshëm në turin e tretë paraeliminator në rast kualifikimi. Skënderbeu do të përballet në turin e tretë të Champions League me skuadrën e cila do të kualifikohet nga sfida Ludogortes – Milsami, takimi i parë mes këtyre skuadrave ka përfunduar 1 – 0 në favor të skuadrës moldave Milsami që ka fituar në transfertë.
Pas fitores së thellë në ndeshjen e parë në Korçë 4 – 1 kundër Crusaders F.C, Skënderbeu thuajse është i kualifikuar për në turin e tretë, megjithatë kualifikimi pritet të zyrtarizohet të martën në Belfast ku do të luhet dhe ndeshja e kthimit mes këtyre skuadrave.
Ndërkohë edhe Kukësi ka njohur kundërshtarin e mundshëm të turit të tretë në Europa League, gjithnjë nëse kalon skuadrën malazeze Mlladost të Podgoricës. Pas humbjes 0 – 1 në ndeshjen e parë në Tiranë, Kukësi do të kërkojë të përmbysë këtë rezultat në ndeshjen e kthimit në Podgoricë. Kundështari i mundshëm i Kukësit në këtë fazë do të jetë njëra prej skuadrave, Legia e Varshavvës ose Botosani. Polakët e Legia e kanë fituar takimin e parë me rezultatin 1 – 0.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/