17 korrik 2015 – Plot 7 afrime ka bërë Teuta në këtë merkato vere, ndërsa drejtuesit e klubit nuk kënaqen me kaq. Krerët e skuadrës durrsake janë të vendosur për t’i ofruar trajnerit Magani një skuadër kompetitive për sezonin e ri, ndërsa mësohet se shumë shpejt, “djemve të detit” do t’i bashkohen edhe katër lojtarë të rinj. Nuk bëhen të ditur emra konkretë, pasi klubi është në bisedime e sipër, ndërsa mendohet se pas kthimit nga Bullgaria do të mësohen edhe identitetet e tyre.
Bëhet fjalë për katër përforcime, të cilat do të blindojnë përfundimisht çdo repart të Teutës, duke nisur nga porta, lojtar i cili do të jetë alternativë e Rizvanit dhe që do të jetë vendas. Ndryshon situata në tri repartet e tjera, ku do të afrohen tre lojtarë të huaj përkatësisht për mbrojtjen, mesfushën dhe sulmin. Kontaktet e para kanë nisur, ndërsa pritet që këto “goditje” të formatojnë përfundimisht një Teutë që duket se edhe me trajnerin Magani në krye të stolit do të synojë të rikthejë në identitet një skuadër e cila vuajti jo pak sezonin e shkuar për të siguruar mbijetesën në Superligë.
Që nga e hëna, Teuta është duke zhvilluar fazën përgatitore në Bullgari, ndërsa ka zhvilluar edhe miqësoren e parë atje. Durrsakët humbën ndaj Skoda Xanthit vetëm në minutat e fundit, një disfatë që justifikohet duke marrë parasysh objektivin që kanë të tilla ndeshje testuese. Teuta do të qëndrojë edhe 10 ditë të tjera në Bullgari për t’u rikthyer më pas në Shqipëri, ku dhe do të vijojnë seancat stërvitore në pritje të nisjes së kampionatit më 22 gusht.Trajneri i durrsakëve nga Bullgari ka treguar në vija të përgjithshme mbi përgatitjet që Teuta është duke zhvilluar në Bullgari.
Numri 1 i stolit të “djemve të detit” konfirmoi se kushtet të në cilat ekipi është duke u stërvitur janë optimale, duke filluar nga ato atmosferike, mjaft të përshtatshme, të hotelit ku skuadra është grumbulluar prej 5 ditësh dhe terrenet sportive ku po stërvitet. Gjithashtu, Magani pohoi se ka mbetur i kënaqur nga forma që lojtarët e tij kanë treguar deri në këto momente. Trajneri i Teutës konfirmoi edhe faktin se ka mbetur i kënaqur nga paraqitja e të tijve në miqësoren ndaj Skoda Xanthit. Loja e treguar nga Teuta ishte në nivelin e kërkuar, edhe pse “djemtë e detit” u mposhtën në fund të sfidës, kjo më tepër për shkak të zëvendësimeve të shumta që u kryen gjatë pjesës së dytë, të cilat i ulën ndjeshëm ritmin atij 90-minutëshi ndaj skuadrës greke.
7 lojtarë ka afruar në këtë merkato vere Teuta: Kuka, Musta, Mihani, Gashi, Lamçja, Magani, Hila, ndërsa Çyrbja dhe Beqaj janë kthyer nga huazimet ndërkohë që 8 largime kanë bërë durrsakët, duke lënë të lirë: Nikën, Peposhin, Koreshin, Hoxhallarin, Premçin, Stafën, Çotën dhe Brahjen.
/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/