16korrik 2015 – Pas atij triumfi të bujshem të Skënderbeut në ligën e kampioneve, një tjetër skuadër shqiptare zbret sot në mbremje në fushën e lojës. Do të jetë Kukësi që luan ndeshjen e parë të turit të dytë paraeliminator të Europa League. Në turin e parë kuksianët eliminuan skuadrën bjelloruse Torpedo me një fitore të pastër 2 –0 në takimin e parë në Tiranë dhe një barazim pa gola 0 – 0 në takimin e kthimit në Bjellorusi.

Sot në mbrëmje në këtë përballje të parë, Kukësi do të kërkojë një rrezultat pozitiv në mënyrë që të sigurojë në një përqindje të madhe kualifikimin që në takimin e parë. Për këtë trajneri Marcelo Troisi pritet të hedhë në fushë një skuadër tërësisht sulmuese duke ushtruar presion mbi kundështarin që në fillim të lojës.

Në majë të sulmit do të jetë i zakonshmi Pero Pejiç, i mbështetur nga brazilianët Erik Flores dhe Felipe Moreira, të dy këta të fundit janë afruar në merkaton e verës tek Kukësi. Në mesfushë më tepër mundësi aktivizimi kanë tre futbollistë të tjerë brazilianë që luajnë me Kukësin Xheferson, Jean Karioka dhe Emanuel Birungueta, dy të fundit janë gjithashtu afrime në këtë merkato vere. Ndërkohë në mbrojtje pritet të rreshtohen Hallaçi në të djathtë, Muça e Malota në qendër dhe Mici në të majtë, dhe në portë do të jetë moldavi Dimitri Stazhilla.

Kukësi mbetet e vetmja skuadër shqiptare që ka kaluar tre ture në kupat e Europës, dhe kjo eksperiencë i përket sezonit 2012 – 2013 ku skuadra verilindore e Kukësit ndalet në turin e katërt nga turqit e Trabzonsporit një prej skuadrave më të mira të supeligës turke.

Ndeshja Kukësi – Mlladost Podgorica do të gjykohet nga një treshe estoneze me kryesor Kristo Tohver dhe dy asistentët e tij Silver Koiv dhe Hanes Reinvald.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/