16 korrik 2015 – Mediat serbe vazhdojnë me shkrime kundër vendimit të KAS-it, ndërkohë që duket se edhe futbollistët serbë nuk janë pajtuar me atë vendim. Portieri serb Vladimir Stojkoviç ka deklaruar se është parë qartë qëllimi dhe shkaktarët e asaj që ndodhën në Beograd.
Sipas tij, për Shqipërinë është e pamundur që të mos ketë një ndëshkim hyjnor.
“Shqipëria nuk mund t’i shpëtojë një ndëshkimi nga Zoti për atë që bëri dhe për atë që shkaktoi. U pa qartësisht se cilët ishin shkaktarët dhe fajtorët për atë që ndodhi në atë ndeshje. Ishte e qartë se kush ishte fajtor për atë që ndodhi në Beograd. Dëshira për të fituar, shpjegon gjithçka ndodhi”, deklaroi portieri i Kombëtares së Serbisë në një intervistë për “Informer”.
Portieri i Makabi Haifas deklaron se nuk ka asgjë kundër askujt në Kombëtare, megjithatë sipas tij do të ketë gjithmonë një shpagim për atë që ndodhi.
“Nuk kam asnjë qëllim dhe asgjë kundër asnjë kombëtareje. Megjithatë, kundër shqiptarëve do të bëjmë maksimumin për t’i ndalur që ata të kualifikohen. Ne do të bëjmë pjesën tonë që kjo gjë të mos ndodhë. Ky do të jetë edhe një ndëshkim nga Zoti për atë që bënë”, deklaroi portieri serb.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/