16 korrik 2015 – Teuta është mundur në miqësoren e parë në tokën bullgare. Të besuarit e teknikut Gugash Magani humbën me rezultatin e ngushtë 2-1 ndaj ekipit grek Skoda Xanthi. "Djemtë e detit" dominonin deri në minutën e 80-të të takimit, duke kryesuar me rezultatin 0-1, por dhjetë minutat e fundit folën totalisht për helenët, të cilët jo vetëm barazuan por në harkun e pak minutave arritën të fitonin ndeshjen. Durrsakët zhvilluan një lojë shumë të mirë dhe ishin mjaft të organizuar deri në momentin e barazimit nga ana e kundërshtarit, ku edhe pësuan një shthurje të pakuptimtë. Magani kishte hedhur në fushën e lojës nga minuta e parë skuadrën më të mirë të mundëshme dhe lojtarët më në formë për momentin, të cilat nisën edhe miqësoren e pak ditëve më parë në "Niko Dovana" ndaj Bylisit.
Ndeshja nisi me një ritëm shumë të lartë dhe të dyja skuadrat kishin pretendimet e tyre, duke shfrytëzuar gjithçka nga mbrojtja deri te sulmi. Helenët ishin ata që nisën të parët aksionet në drejtim të portës së Rizvanit, duke kërcënuar disa herë, por prapavija durrsake ishte në lartësinë e duhur dhe e mbajti të paprekur portën. Të besuarit e Maganit pas disa minutave e marrin veten dhe kundërpërgjigjen, duke vënë në vështirësi gardianin kundërshtar, edhe pse me raste të shumta për të dyja skuadrat, pjesa e parë u mbyll në paqe me rezultatin e bardhë 0-0.
Pjesa e dytë nis me të njëjtin ritëm sikurse pjesa e parë. 'Djemtë e detit' hidhen në sulm dhe arrijnë të fitojnë një penallti, e cila u kthye në gol nga mesfushori Bledar Hodo, i cili nuk gabon nga pika e bardhë. Menjëherë pas golit, Magani nis zvendësimet e rastit sikurse ndodh rëndom në ndeshjet miqësore, ku thelbi i gjithçkaje është të provohen pak a shumë të gjithë lojtarët që janë në dispozicion. Grekët nuk pajtohen me rezultatin dhe përpiqen të kërcënojnë portën durrsake, por këtë të fundit e thyejnë me sukses çdo sulm të kundërshtarit. Minutat kalojnë njëra pas tjetrës, ndërsa trysnia dhe presioni i helenëve shtohet në drejtim të portës së Teutës. Dhjetë minuta para fundit, pikërisht në të 81-tën grekët arrijnë të barazojnë, ndërsa tri-katër minuta më vonë kalojnë në avantazh, duke i mohuar një rezultat pozitiv në ndeshjen e parë skuadrës shqiptare të Teutës.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/