14 korrik 2015 – Në një argumentin prej 120 faqesh, gjykata e arbitrazhit sportiv i përgjigjet apelit të Federatës Serbe, të cilën e quan në një “pozitë për të ardhur keq”.

Deri në momentin e vendimit të dhënë në datën 10 korrik 2015, nga Gjykata e Arbitrazhit Sportiv në Lozanë, Serbia dhe publiku i saj i gjerë sportiv dhe jo vetëm, “luajtën” më së miri rolin e viktimës dhe shpalosën ndjesinë e një “konspiracioni botëror karshi tyre".

Megjithatë, Gjykata e Arbitrazhit Sportiv hodhi poshtë me fakte dhe ligje ekzistencën e çdo lloj teorie konspirative, duke argumentuar se ndryshimi i vendimit të UEFA-s në lidhje me incidentet mes Shqipërisë dhe Serbisë në ndeshjen e zhvilluar në Beograd (14 tetor 2014) u bazua në rregulloren e përcaktuar të kompeticionit dhe doli në konkluzionin se autoritetet serbe “lejuan” një grup me rreth 15 subjekte që të futeshin në terrenin e lojës dhe që kanë tentuar të ndikojnë psikologjikisht te futbollistët kuqezi dhe që mund të rrezikoheshin me pasoja edhe më të rënda, madje edhe fatale.

Gjykata e Lozanës nënvizon ndërkaq dhe se “FSS (Federata Serbe e Futbollit) është në rolin e të pafatit”, sepse po lufton kundër një prej grupeve huligane më të rrezikshme në Evropë dhe në territorin e mbushur me tensione politike në një vend ku nuk ekziston një kuadër normativ që i jep mundësi Federatës Serbe të Futbollit për moslejimin, pra ndalimin e tifozëve të dhunshëm për të ndjekur ndeshjet e futbollit.

KAS ka kujtuar ndërkaq, se dhe Serbia në pesë vitet e fundit është dënuar gjashtë herë për të njëjtin motiv, por asnjë nga këto raste nuk ka qenë i rëndë. Kaq i rëndë saqë kjo ka shtyrë panelin gjykues të KAS që të mendojë dhe se Serbia duhet të ishte përjashtuar menjëherë nga kualifikueset e Europianit 2016.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/