14 korrik 2015 – Karriera e Shkëlzen Gashit mund të marrë një kthesë të papritur. Që golashënuesi më i mirë i Superligës zvicerane gjatë 2 sezoneve të fundit kërkohet nga shumë klube të njohura në Europë, kjo nuk përbën më lajm, por së fundmi në garën për të marrë shërbimet e sulmuesit shqiptar ka hyrë edhe një nga skuadrat më të mëdha të futbollit gjerman. Një lajm me të vërtetë sensacional ky, pasi emri i Shkëlzen Gashit po lakohet si zëvendësuesi i Ciro Immobiles te Borussia e Dortmundit, të paktën kështu raportojnë mediat zvicerane dhe më konkretisht “Fussballinfos.ch”.
Me largimin e bomberit italian te Sevilla, verdhezinjtë e Thomas Tuchel-it po punojnë për të blerë një tjetër sulmues dhe drejtuesit e Dortmundit e kanë përqendruar vëmendjen pikërisht te Gashi.
26-vjecari i kombëtares kuqezi aktualisht është i lumtur te Baseli dhe ka një kontratë që e lidh me kampionët e Zvicrës deri në vitin 2018, por kur bëhet fjalë për një skuadër si Borussia e Dortmundit, çdo futbollist do të tundohej nga një kalim i mundshëm në “Signal Iduna Park”, përfshirë këtu edhe Gashin.
Baseli e vlerëson kartonin e 26-vjecarit rreth 8 milionë euro dhe nëse te Dortmundi duan të kenë në skuadër një lojtar si Shkëlzen Gashi që të garanton minimalisht 20 gola në sezon, duhet të paguajnë këtë shumë. Do të transferohet apo jo sulmuesi shqiptar në Bundesliga kjo mbetet për t’u parë, por e sigurt është merkatoja e kësaj vere që sa më shumë kohë kalon aq më nxehtë bëhet, Gashi nga ana e tij është gati për të ndërmarrë hapin e madh në karrierë.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/