13 korrik 2015 –Danimarka është vënë nën presion pas vendimit të KAS-it, që shfuqizoi vendimin e UEFA-s për dronin e telekomanduar, i cili shkaktoi polemika dhe ndërprerje të ndeshjes kualifikuese Serbi-Shqipëri, 14 tetorin e vitit të kaluar.
Kjo ka ndryshuar edhe renditjen në grupin tonë kualifikues, teksa Shqipëria është barazuar në pikë me Danimarkën dhe, kësisoj do të kenë “start” të njëjtë në përplasjen direkte në Kopenhagen, më 4 shtator të këtij viti.
Media daneze “Online Post”, shkruan mbi këtë situatë të krijuar për kombëtaren e tyre. Sipas saj, në ndeshjen kundër Shqipërisë, në shtator të këtij viti, situata bëhet edhe më kritike se deri më tani.
“Është një rast i komplikuar, por për mua vendimi është enigmatik, i padrejtë dhe sportivisht jokorrekt. Por, çdo ekip duhet të bëjë punën e vet. Danimarka ende mund të vendosë për fatin e vet, por në mënyrë të artë rruga për në Francë është bërë më e vështirë. Ne duhet të supozojmë se i fitojmë të tria ndeshjet e mbetura. Gjërat mund të ndryshojnë, por kjo është perspektiva e saktë që duhet të shikojmë tani për tani”, thotë trajneri i Danimarkës, Morten Olsen.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/