10 korrik 2015 –Sulmuesi kosovar i Teutës, Egzon Gashi, premton se do të kthehet në një nga lojtarët më kyç te "djemtë e detit". Sulmuesi tregon arsyet pse zgjodhi skuadrën e Teutës për të vazhduar karrierën dhe njohuritë që ka për futbollin brenda republikës së Shqipërisë, kryesisht Superligën.

Ndonëse ka vëtëm një javë në Durrës dhe tek Teuta, Gashi shprehet se është përshtatur shumë mirë dhe se ndihet si në shtëpi, ndërsa thekson se ka refuzuar disa skuadra të Superligës dhe të kampionatit Kosovar:

“Ndihem shumë, shumë mirë. Jam i kënaqur që ndodhem këtu dhe si pjesë e skuadrës së Teutës. Prej disa ditësh po ushtrohem së bashku me skuadrën dhe gjithçka po shkon shumë mirë në të gjitha drejtimet. Kam pasur disa oferta brenda dhe jashtë Kosovës. Dy prej skuadrave të Superligës, të cilat për etikë nuk po i bëj publik emrat, me kanë bërë ofertë konkrete. Gjithshtu, edhe disa skuadra në Kosovë. Por, unë vendosa të firmosja për Teutën dhe besoj se kam bërë zgjedhjen e duhur për karrierën time. Zgjodha Teutën se është një skuadër shumë e mirë dhe me lojtarë cilësorë. Një skuadër që ka zhvilluar sezone shumë të mira gjatë viteve të fundit, me përjashtim të sezonit të kaluar. Teutën e zgjodha edhe për faktin se ka një tifozeri shumë të qytetëruar, e cila e njeh dhe pëlqen shumë futbollin. Mendoj se kam bërë zgjedhjen e duhur për t'u ngjitur në karrierë. Unë kam vetëm pak ditë këtu në Durrës dhe që i jam bashkuar skuadrës së Teutës, dhe kam përshtypjen se gjithçka po shkon sikurse kisha parashikuar. Këtu gjeta një ambient të mirë dhe shumë të ngrohtë jo vetëm në skuadër por edhe në qytet.

Jemi vetëm në ditët e para të përgatitjeve dhe detyrimisht nuk mund të jem në 100% të kondicionit fizik, por me kalimin e disa seancave do kthehem në formën më të mirë. Nga ana tekniko-taktike besoj se kemi mjaftueshëm kohë deri në fillim të sezonit për t'u përshtatur me skemat e trajnerit.”

Gashi do të mbajë një peshë jo të vogël në skuadër por ai shprehet se është i gatshëm për këtë, ndërkohë që shton se Superliga është nga më të fortat në Ballkan:

“Unë prandaj erdha këtu, për të treguar aftësit e mija dhe jam shumë i sigurtë se do të bëj shumë për skuadrën, duke e ndihmuar për të arritur objektivin. Gjatë sezoneve të fundit Superliga shqiptare është një ndër ligat më të forta në ballkan. Mendoj se të gjithë skuadrat kanë një organizim shumë të mirë dhe këtë po e konstatoj edhe këtu tek Teuta, ku ka disiplinë dhe rregulla profesioniste.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/