10 korrik 2015 – Me një fitore dhe një barazim arritur ndaj skuadrës bjelloruse të Torpedos, Kukësi kalon në turin e dytë të Europa League duke qenë e vetmja skuadër shqiptare që vazhdon rrugëtimin në këtë kompeticion europian.
Pas fitores së pastër 2 – 0 arritur një javë më parë në Tiranë, Kukësi regjistron një tjetër rezultat pozitiv në ndeshjen e kthimit në Bjellorusi, teksa ka marrë dje në mbrëmje një barazim pa gola, madje ishin ata më afër fitores se vendasit, jo vetëm me rastet ë shumta për gol, por në pjesën e dytë kuksianët humbasin dhe një 11-m. Vetëm nga ky kualifikim i arritur për në turin e dytë të Europa League, Kukësi përfiton në total nga të ardhurat e Uefa-s 410 mijë euro, 200 mijë euro vetëm për pjesëmarrje në këtë kompeticion dhe 210 mijë euro për kalimin në turin e dytë.
Ndërkohë, përballe Kukësit në turin e dytë do të jetë skuadra malazeze Mlladost i Podgoricës, e cila eliminoi në turin e parë skuadrën azere Nefçi Baku.
Sfida e parë midis Kukësit dhe Mlladost i Podgoricës do të luhet më 16 korrik në stadiumin kombëtar “Qemal Stafa” në Tiranë. Ndërsa, me rezultatet e mbrëmshme Partizani dhe Laçi janë eliminuar nga Europa League. Partizani u mund në të dyja sfidat me skuadrën norvegjeze Strosgodset 1-3 në Norvegji dhe 0-1 në ndeshjen e kthimit në Tiranë.
Ndërkohë, Laçi arriti dy barazime 1-1 në sfidën e parë në Laç dhe 0-0 në ndeshjen e kthimit në Baku të Azerbajxhanit. Inter Baku eliminon Laçin vetëm falë golit në fushë kundështare.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/