·       Leja për linjë tregtare interkonjeksioni, me rrymë të vazhduar, Durrës-Bari

·       “Enel Produzione” ka të drejtën e shfrytëzimit të linjës me tension nominal 500 Kv dhe fuqi transmetuese 500 MW pas vënies në punë të TEC-it në Porto Romano

DURRËS, 9 korrik 2015 –Këshilli italian i Shtetit hedh në erë marrëveshjen e dhjetorit 2009, “Berisha-Prifti” për TEC-in me qymyr të Porto Romanos.

“Linja e interkonjeksionit Durrës-Polignano është një vepër transkufitare, për të cilën VNM-ja (Vlerësimi i Ndikimit në Mjedis) nuk mund të jetë kompetencë ekskluzive e rajonit të Pulias, por e dy shteteve, që kanë për detyrë të vlerësojnë veprën si një të tërë”. Për këto arsye, Këshilli i Shtetit ka bllokuar projektin e kompanisë italiane “Enel Produzione” dhe pranoi kundërshtimin e bashkisë Polignano a Mare ndaj autorizimit të dhënë nga Ministria italiane e Zhvillimit Ekonomik dhe Rajoni e Pulias për shoqërinë energjetike, bëjnë të ditur mediet italiane.

ROMA: NUK ËSHTË PYETUR PUSHTETI VENDOR I PULJAS

Sikurse ka njoftuar “Dyrrah”, më 20 qershor 2015, bashkia italiane e Polignano-s ka paraqitur ankesë në Këshillin e Shtetit kundër kompanisë “Enel Produzione” lidhur me autorizimin që i është dhënë asaj nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik dhe Rajoni i Pulias. “Enel”-i synon të realizojë një linjë tregtare (linjë private interkonjeksioni) 500 kv-500 Mw, nënujore dhe tokësore, mes Italisë dhe Shqipërisë, me një stacioni të ri elektrik në Casamassima. Linja niset nga Porto Romano në Durrës. Është planifikuar që linja të kalojë në San Vito, zonë portuale turistike, dhe Contrada Grottole, zonë e mbrojtur arkeologjike dhe me trashëgimi historike-kulturore, me liqene natyrore etj.

Projekti i linjës së interkonjeksionit, që sipas vlerësimeve fillestare do të duhej të fillonte punimet e ndërtimit deri në qershor 2014. Por “procedura e ndjekur është e pasaktë, njësitë e pushtetit vendor (komuna / bashki) nuk u konsultuan dhe ndërhyrja prek zona me interes të rëndësishëm arkeologjik dhe turistik”. Këto janë arsyet ku u bazua vendimi i seksionit të parë të Gjykatës Administrative Rajonale (TAR – Tribunale Amministrativo Regionale) e Pulia-s, që bllokoi projektin prej 500 MW të linjës së interkonjeksionit nga Durrësi me tubacion detar në Casamassima nëpërmjet San Vito di Polignano-s, Mola di Bari-t, Conversano-s, Rutigliano-s, Turi-t. Pasi pranoi kërkesën për pezullim paraqitur nga bashkia / komuna e Polignano-s, Gjykata Administrative Rajonale pezulloi procedurën për realizimin e projektit të Enel Produzione, që, ndonëse është kundërshtuar nga komuniteti, kishte marrë OK e Departamentit të Energjisë së Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik të Italisë (vendimi nr. 239 i 19 shtatorit 2013) dhe të Rajonit (leja e 19 janarit 2012). Kontestimi ndaj Ministrisë, Rajonit dhe Enel Produzione-s vjen nga fakti se preken vende arkeologjike dhe turistike dhe se nuk u dëgjua komuniteti. Në lidhje me pikën e daljes së linjës së interkonjeksionit në San Vito, gjyqtarët theksuan se “zgjedhja nuk ka marrë parasysh potencialin turistik të rajonit”.

Vendimi i Qeverisë Berisha i 16 dhjetorit 2009 për miratimin e lejes për ndërtimin dhe shfrytëzimin e linjës tregtare të interkonjeksionit, me rrymë të vazhduar, Porto Romano / Durrës (Shqipëri)-Casamassima / Bari (Itali) është mbajtur disi në errësirë. “Dyrrah”-u zbardh dy dokumente.

DOKUMENTET

1. Vendim nr. 1266, datë 16.12.2009 “Për miratimin e lejes për ndërtimin dhe shfrytëzimin e linjës tregtare të interkonjeksionit, me rrymë të vazhduar, Porto Romano/Durrës (Shqipëri)-Casamassima/Bari (Itali)”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 31 e 31/1 të ligjit nr. 9072, datë 22.5.2003 “Për sektorin e energjisë elektrike”, të ndryshuar, me propozimin e Ministrit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Këshilli i Ministrave vendosi:

1. Miratimin e ndërtimit të linjës tregtare të interkonjeksionit, me rrymë të vazhduar, Porto Romano / Durrës (Shqipëri)-Casamassima / Bari (Itali).

2. Miratimin e lejes nr. 3/1, datë 1.12.2009 “Për ndërtimin dhe shfrytëzimin e linjës tregtare të interkonjeksionit, me rrymë të vazhduar, Porto Romano / Durrës (Shqipëri)-Casamassima / Bari (Itali)”, dhënë shoqërisë “ENEL Produzione S.p.A.” nga Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, sipas tekstit, që i bashkëlidhet këtij vendimi.

3. Vendimi nr. 1516, datë 19.11.2008 i Këshillit të Ministrave “Për miratimin e lejes për ndërtimin dhe shfrytëzimin e linjës tregtare të interkonjeksionit, me rrymë të vazhduar, Porto Romano / Durrës (Shqipëri)-Casamassima / Bari (Itali)”, shfuqizohet.

4. Ngarkohet Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare.

KRYEMINISTRI

Sali  Berisha

2. Leje për ndërtimin dhe shfrytëzimin e linjës tregtare të interkonjeksionit, me rrymë të vazhduar, ndërmjet Porto Romano-Durrës (Shqipëri) dhe Casamassima / Bari (Itali) nr. 3/1, datë 1.12.2009

 -Leja jepet për ndërtimin dhe shfrytëzimin e linjës tregtare të interkonjeksionit, me rrymë të vazhduar, Porto Romano/Durrës (Shqipëri)-dhe Casamassima/Bari (Itali), pa akses të palëve të treta.

-Shoqëria “Enel Produzione S.p.A.” ka të drejtën e shfrytëzimit të kapacitetit të kësaj linje vetëm pasi të ketë vënë në punë termocentralin për prodhimin e energjisë elektrike në zonën e Porto Romanos.

-karakteristikat kryesore të linjës janë:

-Linjë e tensionit të lartë e rrymës së vazhduar.

-Drejtimi i kalimit të energjisë do të jetë në të dy drejtimet: Shqipëri-Itali dhe Itali-Shqipëri.

-Tensioni nominal do të jetë: Un=500 Kv.

-Kapaciteti total i fuqisë transmetuese të kësaj linje është 500 MW.

-Kapaciteti minimal i fuqisë është: Pmin=10% e Pn.

-Puna për ndërtimin e linjës duhet të fillojë brenda 12 (dymbëdhjetë) muajve nga data e marrjes së autorizimit për ndërtimin e termocentralit të Porto Romanos.

-Leja hyn në fuqi me miratimin nga Këshilli i Ministrave dhe me botimin në Fletoren Zyrtare, si dhe pasi të jenë paraqitur kontratat përkatëse, që parashikohen në këtë leje.

-Shoqëria “ENEL Produzione S.p.A.,” brenda 6 muajve nga miratimi i kësaj lejeje, duhet të lidhë një kontratë me OST sh.a-në, për mënyrën e ndërtimit dhe të funksionimit të linjës tregtare të interkonjeksionit.

-Pika e lidhjes së rrjetit elektrik, të ndërtuar nga shoqëria “ENEL Produzione S.p.A.,” me sistemin elektroenergjetik shqiptar do të jetë konform kontratës, që kjo shoqëri do të lidhë me OST sh.a.

-Shoqëria “ENEL Produzione S.p.A.” para fillimit të punimeve, duhet të depozitojë pranë Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës dokumentet përkatëse, që vërtetojnë mbështetjen financiare për realizimin e këtij projekti.

-Koha e realizimit të projektit për ndërtimin e kësaj linje, lidhja me sistemin elektroenergjetik shqiptar dhe vënia në shfrytëzim do të jetë 6 (gjashtë) vjet nga data e fillimit të punës për ndërtimin e saj nga “ENEL Produzione S.p.A.”

-Fillimi i punës për ndërtimin e linjës konsiderohet data e nënshkrimit të një procesverbali ndërmjet shoqërisë “ENEL Produzione S.p.A.” dhe Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, pas paraqitjes nga ana e shoqërisë “ENEL Produzione S.p.A.” te kjo Ministri, të dokumentacionit përkatës.

-Leja i jepet shoqërisë “ENEL Produzione S.p.A.” për shfrytëzimin e linjës tregtare të intekonjeksionit për një afat 20-vjeçar, nga data e vënies në punë të saj.

-Data e vënies në punë të linjës konsiderohet data e nënshkrimit të një procesverbali ndërmjet shoqërisë “ENEL Produzione S.p.A” dhe Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, pas paraqitjes nga ana e shoqërisë “ENEL Produzione S.p.A.” tek ajo ministri, të dokumentacionit përkatës;

-Leja jepet me të drejtën që shoqëria “ENEL Produzione S.p.A.” të përdorë 80% të kapacitetit transmetues të kësaj linje dhe 20% të kapacitetit transmetues të kësaj linje i jepet për shfrytëzim pa pagesë OST sh.a. Shqipëri.

-Në rastet kur linja tregtare e rrymës së vazhduar punon e ndarë nga sistemi elektroenergjetik shqiptar, atëherë shoqëria “ENEL Produzione S.p.A.” është e detyruar t’i kalojë OST sh.a.-së 20% të fitimit të realizuar nga shfrytëzimi 20% i kapacitetit të kësaj linje.

-Për të gjithë kohëzgjatjen e lejes, edhe sikur të jetë një situatë e kapaciteteve të limituara, shoqëria “ENEL Produzione S.p.A.” do t’i sigurojë falas OST sh.a.-së kuotën e kapaciteteve, për të cilën nuk është dhënë përjashtimi nga aplikimi i së drejtës për akses të palëve të treta.

-Gjatë gjithë periudhës së ndërtimit dhe të funksionimit të linjës së intekonjeksionit, shoqëria “ENEL Produzione S.p.A.” është e detyruar të respektojë të gjithë kuadrin ligjor dhe rregullator të sektorit të energjisë elektrike.

-Të gjitha asetet që mundësojnë funksionimin e kësaj linje dhe kalimin e energjisë elektrike nga njëri vend te tjetri, në fund të periudhës së lejes, i kalojnë OST sh.a.-së në Shqipëri pa pagesë.

-Pjesa e rrjetit, që do të ndërtohet nga “ENEL Produzione S.p.A.” për të realizuar lidhjen e linjës tregtare të interkonjeksionit me rrjetin ekzistues të transmetimit, që në ndërtimin e saj, do të jetë pjesë e rrjetit kombëtar të transmetimit, dhe kalojë në pronësi të O.S.T sh.a-së pa pagesë.

-OST sh.a. nuk është e detyruar të tranzitojë në rrjetin e administruar prej saj energjinë elektrike të prodhuar nga termocentrali i shoqërisë “ENEL Produzione S.p.A.”

-OST sh.a. nuk është e detyruar të tranzitojë, në rrjetin e administruar prej saj, energji elektrike të siguruar nga burime të tjera gjeneruese brenda apo jashtë Shqipërisë dhe që duhen transmetuar në drejtim të Italisë nëpërmjet kësaj linje tregtare të interkonjeksionit, për llogari të shoqërisë “ENEL Produzione S.p.A.”

Leja konsiderohet automatikisht e revokuar në rastet kur:

1. Shoqëria “ENEL Produzione S.p.A.” nuk paraqet brenda një periudhe prej 12 muajsh nga data e marrjes së autorizimit për ndërtimin e termocentralit të Porto Romanos, të gjithë dokumentacionin, autorizimet apo lejet e ndryshme, që kërkohen për ndërtimin e kësaj linje.

2. Shoqëria “ENEL Produzione S.p.A.” nuk fillon në afatin e parashikuar në këtë leje.

3. Shoqëria “ENEL Produzione S.p.A.” nuk përfundon në afatin e përcaktuar në këtë leje realizimin e plotë të projektit për ndërtimin e kësaj linje, lidhjen me sistemin elektroenergjetik shqiptar, sipas skemës të rënë dakord me OST sh.a. dhe vënien në punë të tyre.

4. Shoqëria “ENEL Produzione S.p.A.” nuk paraqet, para fillimit të punimeve për ndërtimin e kësaj linje, dokumentacionin përkatës, që provon fillimin e ndërtimit të burimit gjenerues të energjisë elektrike, për transmetimin e së cilës është kërkuar ndërtimi i kësaj linje.

5. Shoqëria “ENEL Produzione S.p.A.” nuk depoziton pranë Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, brenda një periudhe 12-mujore, nga data e marrjes së autorizimit për ndërtimin e termocentralit të Porto Romanos, dokumentet përkatëse që vërtetojnë mbështetjen dhe garancinë financiare për realizimin e këtij projekti.

– Për rastet kur “ENEL Produzione S.p.A.” nuk përmbush detyrimet e përcaktuara në shkronjat “d”, “e” dhe “f” të pikës 2.3 të vendimit të Këshillit të Ministrave nr.529, datë 15.8.2007 “Për miratimin e kritereve dhe të procedurave të aplikimit e të miratimit të lejeve të ndërtimit të linjave tregtare të interkonjeksionit”, si dhe nuk merr masat e menjëhershme për sigurimin e sistemit elektrik kombëtar, ministria i jep 30 ditë kohë për të përmbushur detyrimet.

Nëse “ENEL Produzione S.p.A.” përsëri nuk i përmbush ato, atëherë leja e dhënë revokohet.

– Kohëzgjatja e kësaj lejeje është 20 vjet, duke filluar nga data e vënies në punë të kësaj linje.

Kjo leje nuk do të zëvendësojë ndonjë kompetencë të ndonjë autoriteti ose institucioni tjetër shtetëror ekzistues për të dhënë leje, pëlqimin ose çdo dokument tjetër që kërkohet, sipas legjislacionit në fuqi.

MINISTRI I EKONOMISË, TREGTISË DHE ENERGJETIKËS

Dritan Prifti

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/