9 korrik 2015 – Teuta e sezonit të ri, me trajnerin Gugash Magani, do të ndërtohet me projekte, por edhe nuk do të nxitohet në merkato, duke synuar që të jetë një ekip me pretendime. Momentalisht, në kampin durrsak, të gjithë janë të përqendruar te puna dhe po synohet që të ndërtohet një ekip me ambicje, ku natyrisht, do të ketë edhe afrime.

Tek Teuta, ka pasur edhe largime. Pjesë e skuadrës nuk do të jenë më futbollistë si: Premçi, Koreshi, Nika, Çota, Brahja, Stafa, Hoxhallari, Peposhi, por ditët e fundit u largua dhe braziliani Alan që luante si mbrojtës dhe që ishte në provë. Ai nuk e ka bindur stafin e skuadrës durrsake, pasi po synohet që në qendër të mbrojtjes të afrohet një futbollist cilësor që të bëjë diferencën. Mbrojtja është reparti ku durrsakët duan që të bëjnë një afrim të goditur dhe pikërisht në qendër të difensivës. Për këtë, po studiojnë tregun me qetësi, por do të ketë edhe një tjetër afrim cilësor në mesfushë. Një lojtar krahu do t’i bënte shumë punë trajnerit të skuadrës durrsake Gugash Magani, i cili është rikthyer në Durrës, pasi drejtoi skuadrën e Tiranës për dy sezone.

Magani, tek Teuta ka lënë gjurmë të mira, sa herë ka qenë në krye të saj dhe të njëjtën gjë synon që të bëjë edhe këtë sezon, duke pasur edhe mbështetjen maksimale të drejtuesve më të lartë të klubit durrsak.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/