9 korrik 2015 – Skuadrat shqiptare pjesëmarrëse në Europa League, Partizani, Kukësi dhe Laçi luajnë sot në mbrëmje ndeshjet e kthimit të vlefshme për turin e parë të këtij kompeticioni europian.
Teksa Kukësi dhe Laçi luajnë ndeshjet e tyre respektive në transfertë, Kukësi kundër Torpedos, ndeshja e parë në Tirane 2-0 dhe Laçi luan kundër Inter Baku, ndeshja e parë në Laç 1-1, Partizani luan në shtëpi kundër skuadrës norvegjeze të Stromsgodset, ndeshjen e parë të kuqtë e Partizanit e kanë humbur në shifrat 1-3.
Të tri skuadrat shqiptare do të luajnë shanset e tyre për kualifikim, ku sigurisht nisur nga rezultatet e takimeve të para, shanset më të mëdha për t’u kualifikuar më tej i ka Kukësi. Për të shpresuar për më tej, laçianëve u duhet të paktën të shmangin humbjen dhe të synojnë një barazim me gola, ndërkohë Partizani i drejtuar nga Sulejman Starova duket se ka sfidën më të vështirë, pasi duhet të përmbysë rezultatin në disfavor 1-3 që do të jetë mjaft e vështirë për ta, por natyrisht jo e pamundur.
Trajneri i Partizanit Sulejman Starova beson se skuadra e tij i ka mundësitë për të reaguar ndaj kundështarit dhe të përmbysë rezultatin e ndeshjes së parë, ndërkohë për trajnerin norvegjez Ingebretsen nuk ka asnjë dyshim se skuadra e tij do të kualifikohet për më tej, ndonëse do të jenë të detyruar të luajnë në temperatura të pazakonta për ta.
Sfida mes Partizanit dhe Stromsgodset luhet sot në mbrëmje në orën 20:00 në stadiumin kombëtar “Qemal Stafa” në Tiranë. Kjo përballje do të drejtohet nga një treshe arbitrash gjermanë, me kryesorin Tobias Stieler, ndërsa delegat i UEFA-s do të jetë Irlandezi Denis Kruis. Ndërsa, dy ndeshjet e tjera Torpedo-Kukësi dhe Inter Baku-Laçi luhen në orën 18:00.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/