5korrik 2015 – Një status në rrjetet sociale i Edi Martinit ka ngritur peshë një Shkodër të tërë, ndërkohë që opinion qarkullon emri i deputetit Tom Doshi si njeriu që mund të marrë drejtimin e klubit shkodran. Shkak është bërë një status i përcjellë në rrjetet sociale nga ana e ish-futbollistit por edhe ish-trajnerit të Vllaznisë, Edi Martini, sipas të cilit klubin shkodran shumë shpejt do ta drejtojë një president i fuqishëm me të cilin Vllaznia do të arrijë të rikthehet në ditët e saj më të mira për të qenë lider i futbollit shqiptar: “Tifozë shkodranë, ju bëj me dije se Vllaznia shumë shpejt do të jetë në dorë të sigurt dhe me një president shumë të fuqishëm. Brenda pak kohëve ai do ta bëjë Vllazninë kampione, ashtu siç i takon Shkodrës. Prandaj, kini edhe pak durim. Gjithmonë, nëse bashkia është dakord për këtë. Më mirë nuk ka mundësi të bëhet, për këtë ju garantoj. Do ta dëgjoni shumë shpejt këtë lajm, miq dhe tifozë të Vllaznisë. Respekte të gjithëve!” Ky është tekstualisht statusi i Edi Martinit, i cili siç mund të kuptohet duke qenë shumë pranë politikes gjatë kësaj periudhe, pasi ishte edhe pjesë e listës së kandidaturave për Këshillin Bashkiak si përfaqësues i një partie politike, ka arritur të mbërrijë më shpejt se të tjerët tek lajmi në fjalë. Martini nuk do të flasë më tepër të paktën edhe për pak ditë sapo gjërat të marrin rrugën e duhur. Por, në rrugë dytësore, qarkullojnë zëra se personi që përflitet si president i ardhshëm i Vllaznisë është Tom Doshi. Madje, sipas të njëjtave burime mësohet se personat që po ndërmjetësojnë për një gjë të tillë kanë programuar edhe një takim dypalësh, të Doshit nga njëra anë dhe të kryetares së re të Bashkisë së Shkodrës, Voltana Ademi nga ana tjetër, e cila sipas postit të paraardhësit të tij Lorenc Luka, është ajo që trashëgon postin e presidentit të Vllaznisë.
Në vijim të saj që tashmë shkodranët e kanë bërë pjesë parësore të bisedave të tyre, një nga argumentet bindëse që të çojnë për ta marrë të mirëqenë këtë variant është edhe ajo, që ndonëse deputeti Doshi është i krahut të majtë, ai prej vitesh është spikatur me prirje të djathta nisur edhe nga e kaluara e familjes dhe farefisit të tij të persekutuar. Ndërkohë që një tjetër argument bindës që qarkullon në qytet është edhe fakti se në zgjedhjet e fundit vendore për Bashkinë e Shkodrës, Doshi ka dalë hapur në fushatë pro kandidaturës së Voltana Ademi për postin e kryetares se bashkise se Shkodres.