3 korrik 2015 – Sulmuesi pejan, Egzon Gashi, ka arritur të nënshkruajë kontratë me Teutën e Durrësit.
Lajmin e ka bërë të ditur klubi durrsak, por edhe vetë futbollisti përmes disa fotove të postuara në rrjetin social ‘Facebook’. Gashi është prezantuar në zyret e klubit të Teutës si përforcim i ri dhe është shprehur i lumtur që do të luajë me një ekip elitë si Teuta. Gashi ka patur disa oferta nga klube shqiptare dhe kosovare, por më në fund ai ka vendosur të firmosë me Teutën.
Gashi është një sulmues mjaft cilësor dhe pikë kyçe e ekipit të Ferronikelit të Kosovës me të cilin Gashi u shpall kampion në Kosovë si dhe ka fituar trofeun e Kupës, që të dy trofetë janë fituar sezonin që sapo u mbyll në Kosovë. Pikërisht performanca e këtij futbollisti bëri që ai të ishte mjaft i kërkuar në merkato si në Shqipëri ashtue dhe në Kosovë, por më në fund Gashi vendosi për Teutën duke e cilësuar këtë si një hap të rëndësishëm në karrierën e tij.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/