2 korrik 2015 – Arrestohen dy të rinj që dërgonin njerëz për të përfituar azil në Gjermani.

Në vijim të operacioneve për parandalimin e trafikimit të qenieve njerëzore, Policia e Qarkut të Durrësit finalizoi me sukses operacionin e koduar “Azili” duke vënë në pranga Besnik Gjokën, 27 vjeç, dhe Shaban Gjokën, 25 vjeç, të dy banues në Fushë-Krujë.

Burime zyrtare të policisë së Durrësit bëjnë me dije se pas një hetimi 3 mujor, Seksioni për Trafikun e Paligjshëm në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Durrës, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Krujë, kanë dokumentuar se dy të rinjtë në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë dërguar rreth 100 shtetas në Gjermani, me qëllim për të përfituar azil duke i ndihmuar për të kaluar në mënyrë të paligjshme kufirin.

“Pjesa më e madhe e personave të larguar kanë pasur problem me vendet në Zonën Shengen.

Të arrestuarit, me anë të mjeteve të tyre i transportonin njerëzit në itenerarin Kosovë-Serbi-Hungari-Austri-Gjermani kundrejt pagesave që varionin nga 500 deri ne 1500 euro për person”, thuhet në njoftimin e policisë.

Për këta dy persona, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Krujë kishte vedosur masën e sigurisë “Arrest me burg” për veprën penale “Dhënie ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit” në bashkëpunim.

/S.L. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/