30 qershor 2015 – Dragan Milovanoviç është lojtari që do të luajë tashmë me Teutën. Sulmuesi serb 29-vjeçar do të mbërrijë në Durrës dhe do të jetë pjesë e ekipit durrsak për sezonin e ardhshëm duke u cilësuar një blerje cilësore nga ekipi durrsak.
Milovanoviç është një sulmues shtatlartë 1.82 i gjatë që do të përforcojë repartin e sulmit, i cili është reparti që kishte më shumë nevojë për përforcime madje me sulmues cilësorë, pasi siç dihet reparti i sulmit në sezonin që sapo u mbyll ka shënuar shumë pak gola ndërkohë që rastet nuk kanë qenë të pakta, por finalizimi linte për të dëshiruar.
Sulmuesi serb Milovanoviç ka luajtur sulmues me ekipin serb të superiores Radnicki Kragujevac ndërkohë që vite më parë ka qenë pjesëtar i kombëtares serbe të të gjitha moshave zinxhir deri në ekipin Shpresa.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/