29 qershor 2015 –Gonzalo Jara është aktualisht futbollisti më i urryer në media. Futbollisti kilian bëri një gjest të turpshëm ndaj Cavanit duke i futur gishtin nga mbrapa, gjest që për të nuk ishte i pari.
Por detaje të reja tregojnë se sa negativ është Jara si futbollist. Ai e ka ofenduar rëndë Cavanin në ndeshjen ndaj Argjentinës duke e prekur në "plagë" një ditë pasi babai i tij u arrestua për vrasje.
"Je nervoz sepse e di që babai juaj do të kalbet për 20 vjet në burg", i ka thënë Jara, Cavanit.Gonzalo Jara dhe gjesti i tij ndaj Edinson Kavanit, është shndërruar brenda pak orësh në një nga videot më të klikuara në mbarë botën, por më shumë sesa skena e turpshme e provokimit të kundërshtarit të tij uruguaian, ka qenë simulimi i kilianit pas reagimit të sulmuesit të PSG-së ajo që duket se i ka kushtuar kontratën e tij me Maincin.
Një “gisht” në fundshpinën e Cavanit edhe mund të ishte përtypur nga drejtuesit e klubit gjerman, por rrëzimi në tokë për të detyruar arbitrin që të përjashtojë kundërshtarin nuk është kapërdirë nga drejtori sportiv, Kristian Heidel, i cili në faqet e “Bild” sqaron:
“Besoj se lojtari duhet ta ketë kuptuar mjaft mirë me gjestin e tij, se në rast se do të na vijë ndonjë ofertë për blerjen e tij, ne nuk do ngurrojmë ta shesim”, thekson njeriu i merkatos së Maincit.
“E them realisht se provokimin e Jaras ndaj Kavanit mund ta përtyp, por atë që ndodhi më pas jo. Unë e urrej teatrin në fushë që mund të bëjnë lojtarët, vetëm e vetëm për të penalizuar kundërshtarin, prandaj ajo skenë e turpshme e rrëzimit të tij në tokë, që i kushtoi të kuqen Edinson Cavanit, ishte ajo që më nervozoi më shumë dhe më shtyu që të marr këtë vendim për ‘shkarkimin’ e lojtarit nga klubi ynë”.
Nga Kili, të gjithë presin një përgjigje në lidhje me dënimin që duhet të marrë edhe Gonzalo Jara, pas gjestit të tij ndaj Kavanit. Edhe pse nuk u përjashtua në lojë e sipër nga arbitri brazilian, Sandro Meira Riçi, do të jetë Komisioni i Disiplinës që do të përdorë provën televizive (për të cilën nuk do ketë shumë nevojë) për të marrë një vendim mbi futbollistin.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/