27 qershor 2015 – Prej katër ditësh forcat RENEA vijojnë operacionin në fshatin Lazarat, duke kontrolluar çdo banesë deri në arrestimin e gjithë personave që vranë efektivin Ibrahim Basha, dhe plagosën dy kolegë të tij.

Por përtej pamjeve të kontrolluara që policia shpërndan gati çdo ditë, ky aksion ka edhe momentet e tij të “relaksit”, të paktën për gazetarët që janë në Lazarat për të raportuar ngjarjen, shkruan portali ‘Lapsi.al’.

Nga fotot që qarkullojnë në rrjetet sociale, shihen gazetarë të televizioneve informative duke pozuar me armë të forcave RENEA. Janë vetë gazetarët që i kanë postuar në faqet e tyre në Facebook këto foto, veprime këto që nuk janë fare konform etikes së gazetarit dhe as konform rregullave të përdorimit të armëve luftarake.

Njëkohësisht, ky veprim i forcave RENEA, që u lënë armët gazetarëve për të pozuar foto për Facebook, zhvlerëson në një farë mënyre seriozitetin e këtij aksioni, pse jo edhe rrezikshmërinë e tij.

Efektivëve të RENEA-s u është vrarë një koleg i tyre dhe plagosur dy të tjerë, prandaj do të ishte më shumë e udhës që të mobilizoheshin për kapjen e autorëve të krimit, sesa të shpenzonin kohë për të përmbushur dëshirat e gazetarëve. Të tilla foto kompromentojnë deri diku edhe vetë raportimin e këtyre gazetarëve, që në një situatë të tillë duhet të jenë sa më të paanshëm nga palët në konflikt, shkruan ‘Lapsi.al’.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/