26 qershor 2015 – Teuta deri tani ka arritur të konfirmojë tri afrimet e para, duke nënshkruar me dy ish-lojtarët e Elbasanit, Ardit Hilën e Emiljano Mustën, ndërkohë që kanë siguruar shërbimet e mbrojtësit kosovar, Viktor Kukës. Por durrsakët nuk do të kënaqen me pak në këtë merkato vere, pasi prej kohësh janë duke kërkuar shërbimet e ish-sulmuesit te Vllaznisë, Sebastian Sozës, ndërsa portieri Ibrahim Bejte dhe mesfushori i Apolonisë, Adenkunle janë pranë firmës me “djemtë e detit”.
Afrimi në stolin e skuadrës bregdetare i trajnerit Gugash Maganit ka shtuar optimizmin edhe në radhët e tifozerisë durrsake, ndërsa të gjitha lëvizjet e deritanishme janë tregues për objektivin që skuadra do të ketë në sezonin e ardhshëm. Ndërkohë që seanca e parë stërvitore për sezonin e ri do të startojnë më datë 29 qershor, drejtuesit e klubit të Teutës janë duke shqyrtuar dhe vlerësuar të gjitha mundësitë se ku do të zhvillohet faza përgatitore. Një alternativë mendohet se do të jetë Bullgaria, ndërsa ekipit mësohet se do t’i krijohen të gjitha kushtet për t’u bërë gati në prag të kampionatit të ardhshëm.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/