26 qershor 2015 – Kompleksi përkujtimor që ndodhet pranë Torrës veneciane nuk është ngritur në nderim të Mujo Ulqinakut, heroit të rezistencës antifashiste të 7 prillit 1939.
Trekëndëshi monumental që dallohet veçanërisht për tri topat luftarakë në qoshet e tij u ngrit 16 vjet para kësaj ngjarjeje historike dhe bashkia e Durrësit ia kushtoi atë kolonelit holandez, Tomson.
Ushtaraku 45-vjeçar, që kishte mbërritur në Shqipëri për të organizuar xhandarmërinë vendase ra në krye të detyrës më 15 qershor të vitit 1914.
10 vjet më vonë, me nismën e kryebashkiakut Kostë Paftali qyteti nisi të zbatojë projektin për një memorial kushtuar kolonelit holandez, Lodewijk Willem Johan Karel Thomson. Një obelisk i lartë me një shqiponjë të derdhur në bronx u vendos në qendër të tri topave luftarakë, që vazhdojnë të hijeshojnë edhe sot kompleksin trekëndor, shumë pranë Torrës veneciane.
Fotografia e fillimviteve 1940, bashkë me elementet e sipërtreguara dëshmon edhe hotelin e sapondërtuar “Dozhët e Venedikut”, i cili menjëherë pas luftës mori emrin e njohur nga të gjithë “Vollga”.
Heshtja komuniste 50-vjeçare për figurën e kolonelit trim nga “vendi i mullinjve” filloi me heqjen e simboleve, që populli shqiptar i kishte kushtuar. Shqiponja prej bronxi mbeti për shumë vite në oborrin e Muzeut Arkeologjik. Në mesin e viteve 1960, në të njejtin vend u vendos busti i heroit të rezistëncës antifashiste Mujo Ulqinaku. Vepra e punuar nga skulptori Sabri Tuçi pas dy dekadash u zhvendos në hyrje të shkollës artistike, që mori emrin “Mujo Ulqinaku”.
Ndërkaq, në qendër të kompleksit të restauruar u instalua monumenti i skulptorit Kristaq Rama, që bashkë me Mujo Ulqinakun vazhdon të kujtojë 7 prillin e vitit 1939, ose fillimin e rezistencës kundër pushtuesve nazi-fashistë. Pak më tej, në anën lindore të Torrës, ka zënë vend këto vite edhe busti i kolonel Tomsonit, duke rikthyer respektin e shqiptarëve për kontributet e tij në historinë e shtetit tonë.
Në fotografinë e fiksuar 75 vjet pas së parës, dallohen edhe dëmtimet e fasadës së hotel “Vollgës” dhe muret e periudhës bizantine, që janë pastruar nga ndërtimet e gjysmës së parë të shekullt të kaluar.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/