24 qershor 2015 – Një 52-vjeçar nga Durrësi, i cili premtonte punësim në arsim kundrejt shumës së 3 mijë eurove, është vënë në pranga.

Pas një hetimi disa mujor, specialistët kundër Krimit Ekonomik dhe Financiar në Komisariatin e Policisë së Durrësit në bashkëpunim me Prokurorinë e qytetit, bënë të mundur ndalimin e Bardhyl Xhakollarit, 52 vjeç, banues në Durrës.

Xhakollari i kishte premtuar shtetasit D.B., 37 vjeç, po nga Durrësi, se do të ndërhynte për të punësuar bashkëshorten e tij si mësuese, kundrejt pagesës prej 3000 eurosh.

Ditën e djeshme, gjykata e Rrethit Gjyqësor Durrës, ka caktuar masën e sigurisë “Arrest me burg” për Xhakollarin, i cili tashmë është i akuzuar për veprën penale “Ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”.

/S.L. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/