23 qershor 2015 – Një grup intelektualësh durrsakë i kanë sugjeruar bashkisë së qytetit të zhvendosë bustin e Dom Nikoll Kaçorrit, duke e instaluar atë në lulishten pranë portit.
Busti i patriotit dhe klerikut të shquar të fillimshekullit të kaluar, aktualisht ndodhet mes figurave në bronx të Xhon Lenonit, Tina Tërnerit dhe Mik Xhegerit. Dy të fundit u vendosën në lulishte disa javë më parë.
Sipas propozimit, monumenti në nderim të Kaçorrit, zëvendëskryeministrit të parë të shtetit shqiptar, do të qëndronte shumë mirë pranë bustit të Ismail Qemalit, ndërsa kompleksi i figurave të muzikantëve të shquar perëndimorë do të krijonte një kënd tepër të frekuentuar veçanërisht nga të rinjtë.
Propozuesit kanë hedhur edhe idenë e vendosjes së pllakave-kujtesë pranë banesave ku jetuan aktori i shquar Nikolin Xhoja (1926 – 1987) dhe arkitekti Kristo Sotiri (1870 – 1953).
Arkitekt Sotiri dhe aktori Xhoja kanë kontribute të paçmuara në qytetin bregdetar sipas vlerësimit të intelektualëve durrsakë.
Info
Busti i Dom Nikoll Kaçorrit është vepër e skulptorit Qazim Kërtusha dhe është përuruar në vitin 2002 në lulishten simetrike të Torrës Veneciane. Në vitin 2011, i njëjti autor vendosi pranë tij monumentin e këngëtarit anglez John Lenon, ndërsa në maj të këtij viti u përuruan edhe figurat në bronx të artistëve Tina Tërner dhe Mick Jagger, vepra të autorëve Ilmi Kasemi dhe Arben Pajo. Busti i Ismail Qemalit, punuar nga skulptori Haxhi kalluci, është përuruar në vitin 2012, me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/