23 qershor 2015 –Java e ardhshme, e cila përkon edhe me grumbullimin e skuadrës, do të jetë vendimtare për një pjesë të mirë të lojtarëve që janë në fund të kontratës me klubin e Teutës.
Stafi teknik dhe drejtuesit e klubit durrsak do të seleksionojnë lojtarët, të cilët do të jenë pjesë e skuadrës për sezonin e ardhshëm futbollistik, ndërsa pritet që shumë prej tyre nuk do ta kenë mundësinë për të vazhduar karrierën e tyre te “djemtë e detit”.
Kështu, pjesës më të madhe të ekipit u ka përfunduar kontrata, duke nisur nga kapiteni Rizvani dhe deri te mesfushori Bledar Hodo. Burime pranë klubit durrsak kanë bërë të ditur se skuadra do të ketë një ndryshim rrënjësor në radhët e organikës së saj, duke lënë të kuptohet se shumë prej elementëve që mbyllën këtë sezon nuk do të jenë në planet e klubit durrsak.
Numri një i pankinës së “djemve të detit”, Gugash Magani, pritet të ndërtojë një skuadër kompetitive dhe konkurruese, ndërsa dy blerjet e para konsiderohen cilësore. Peqinasve tashmë u duhen katër goditje të tjera në repartin e sulmit dhe të mbrojtjes, ku skuadra çaloi shumë gjatë sezonit të kaluar.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/