22 qershor 2015 –Sportistja e Kombëtares së Kosovës në disiplinën e harkut, Lirije Sahiti, është tërhequr nga gara individuale në përballjen me italianen Natalia Valeva në Lojërat Europiane “Baku 2015″.
Arsyeja? E kapi paniku dhe shpërtheu në të qara. Por kjo tërheqje e rrallë favorizoi rivalen italiane që të kualifikohej automatikisht në raundin e dytë, i planifikuar për t’u zhvilluar më 21 qershor.
Pas këtij episodi, moldavja e natyralizuar si italiane (medaliste europiane, botërore dhe e bronztë olimpike) shprehu habinë se një gjë e tillë nuk i kishte ndodhur kurrë në gjithë karrierën e saj.
“Gjithçka ishte gati për fillimin e garës. U duk çdo gjë në rregull dhe ndërsa shkuam për të marrë harkun, pashë kundërshtaren duke qarë. Me rregullore nuk më lejohej të flisja me të, ndaj dërgova trajnerin për ta bindur që të konkurronte. Është hera e parë në gjithë karrierën time, që dikush tërhiqet nga konkurrimi për shkak të frikës.Dukej qartë që nuk ishte e gatshme dhe e përgatitur nga niveli psikologjik, e kuptoj”, sqaroi 45-vjeçarja Valeva.
Ndërsa Agron Mala, trajneri i Kombëtares së Kosovës dhe presidenti i Federatës së Harkut e justifikoi tërheqjen e sportistes nga konkurrimi prej stresit të Lojërave dhe helmimit prej ushqimit.
“Ajo është vetëm 17 vjeç. Kjo është eksperienca e saj e parë. Nuk ishte në gjendje të mirë fizike për të konkurruar, dhe për këtë arsye, vendosi të hiqte dorë”, tha Mala.
Dita e 8- të e “Baku 2015″ solli një rezultat pozitiv për Kosovën, me boksierin Armend Xhoxhaj. Në peshën 81 kg, Xhoxhaj siguroi një vend në çerekfinale.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/