21 qershor 2015 –Fitorja në testin miqësor me Francën i ka shërbyer shumë Kombëtares Shqiptare, pasi tashmë kuqezinjtë jo vetëm që do të jenë në vazon e tretë për eliminatoret e Botërorit 2018, por vlera e futbollistëve në merkato është rritur ndjeshëm.

Sipas faqes së specializuar Transfermarkt.com futbollistët e grumbulluar nga De Biasi për sfidën me formacionin e Dechamps kanë pësuar rritje në treg.

Kështu nga 23 lojtarët e grumbulluar bie në sy që çmimin më të lartë në merkato e mban Elseid Hysaj, emri i të cilit lakohet si një përforcim për Napolin në sezonin e ardhshëm. Është e paevitueshme rritja e çmimit për futbollistët që mbyllën sezonin në kampionatin shqiptar si portieri Alban Hoxha, mbrojtësit Amir Rrahmani dhe Arbnor Fejzullahu dhe mesfushori Afrim Taku.

Gjithashtu bie në sy rritja e çmimit edhe për lojtarët e tjerë si Andi Lila, autori i golit ndaj Francës Ergys Kace, sulmuesit Bekim Balaj dhe Sokol Cikalleshi. Në total vlera në treg e skuadrës së De Biasit që u grumbullua për miqësoren me Francën shkon në 20.7 milionë paund, teksa bie në sy mosha mesatare që shkon diçka më lart se 25 vjeç.

Ndërkohë që po të shtosh emrat e futbollistëve të cilët luajtën si titullarë në sfidën eliminatore ndaj Armenisë, vëren se vlera në merkato e kuqezinjve është akoma më e lartë. Kështu Shkëlzen Gashi vlerësohet në treg me vlerën 4.4 milionë paund, Mërgim Mavraj 1.5 milionë, Taulant Xhaka 2.2 milionë teksa Amir Abrashi 1.76 milionë paund.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/