19 qershor 2015 – Sot në mjediset e FSHF-së, u hodh shorti i kampionatit të 77-të kombëtar, Superiorja, për sezonin e ardhshëm futbollistik.

Të pranishëm ishin përfaqësues të klubeve, ndërkohë që procesin në fjalë e udhëhoqi sekretari i përgjithshëm, Ilir Shulku dhe drejtori i Garave në FSHF, Lusjen Nurishmi. Kalendari i javës së parë të Superiores ka vendosur përballë skuadra të tilla rivalizuese, si Partizani dhe Laçi, në kryeqytet, Skënderbeu kampion do të jetë mysafir i kuqebluve të Shkodrës në një fushë ku do ta sigurojnë këta të fundit, ngaqë 'Loro Boriçi' s’mund të jetë gati deri në tetor.

Flamurtari dhe Teuta kanë mes tyre derbi bregdetarësh, ndërsa Tirana dhe Kukësi do ta startojnë aktivitetin kundër debutuesve në elitën e futbollit tonë. Më konkretisht, Tirana luan në transfertë me Tërbunin, ndërsa Kukësi pret ballshiotët.

Më 22 gusht do të fillojë kampionati i ri i Superiores.

/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/