18 qershor 2015 –Dopingu njollos sërish sportin shqiptar dhe në Baku 2015. Sportisti i parë pozitiv i ‘Baku 2015’ është një shqiptar, boksieri Rexhildo Zeneli që ka rezultuar pozitiv në testet e antidopingut siç bën të ditur gjermania Spiegel duke ju referuar Agjencisë Europiane të Antidopingut. Zeneli ka rezultuar pozitiv ndaj substancës Furosemide, e cila përdoret kryesisht në mjekësi për kurimin e problemeve kardiake.
19-vjeçari duhej të ngjitej në ring këtë të premte për t’u ndeshur me bjellorusin Dzmitry Asanau në peshën e gjelit, por pas konstatimit pozitiv ai është përjashtuar menjëherë nga Lojërat. Pozitiviteti i Zenelit vjen në një moment jo të mirë, pasi gjatë dhjetorit 3 peshëngritës shqiptarë rezultuan pozitiv në Botërorin e kësaj disipline, ndërkohë që deri tani në Baku paraqitjet e Shqipërisë kanë qenë zhgënjyese në Baku duke qenë një prej vendeve të pakta, që ende nuk ka arritur të fitojë një medalje.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/