17 qershor 2015 – Luiza Gega nuk ka dhënë rezultatin e pritur në etapën e radhës së ‘IAAF World Challenge’. Në Rabat, atletja shqiptare është renditur e teta, duke kaluar finishin me kohën 4’07″95 në garën e 1500 metrave. Gega ka realizuar një kohë më shumë se 5 sekonda më të dobët se rekordi kombëtar i mbajtur prej saj. Luiza Gega do të garojë në Lojërat Europiane ‘Baku 2015′ në garën e 800 dhe 1500 metrave, ku synon të marrë medalje”. Ka qenë ky komenti i publikuar në faqen zyrtare të Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar në “Facebook” rreth pjesëmarrjes të dielën të Gegës në Marok, në garën e 1500 metrave, që rekordmenia të mos kursehej në akuza.E indinjuar nga qëndrimi zyrtar i mbajtur nga institucioni olimpik karshi garimit të saj në Rabat, Gega i është përgjigjur direkt në një koment në rrjetin social duke kërkuar që të respektojnë nivelin e saj. Mes të tjerash, rekordmenia kuqezi dhe sportistja e vetme shqiptare që ka arritur normën e kampionatit të ardhshëm botëror në Pekin dhe më e rëndësishmja, atë të Olimpiadës “Rio 2016″, është shprehur se në Shqipëri nuk ka kushte ku të stërvitesh dhe se nuk gjen dot një masazhator.Gjithashtu, Gega në replikën e saj sqaron se jo në çdo garë mund të arrish rekord kombëtar. “Nuk e di kush i ka bërë këto shkrime, por nuk e kupton shumë sportin e atletikës. Gara e 1500 m është garë taktike. E dini që në Shqipëri s’ke ku të stërvitesh apo s’gjen dot një masazhator dhe për fat të keq je e detyruar që të bësh garë me ngarkesë pas ngarkese. Jo në çdo garë ka ‘personal best’ dhe rekorde.
Unë jam në ‘top 8′-en e botës, marr pjesë nëpër aktivitete ku, për fat të keq, asnjë shqiptar nuk ka mundur të marrë pjesë. Këtë vit kam 3 gara radhazi që kap normën e Botërorit dhe Olimpiadës. Prandaj, respektoni nivelin tim”, mbyllej komenti i Luiza Gegës, e cila prej vitesh është pa dyshim sportistja më e suksesshme shqiptare. Komenti i KOKSH-it ka ngjallur zemërim edhe në shumë prej komentuesve në “Facebook”. Njëzëri komentuesit kanë dalë në mbështetje të atletes, duke e konsideruar si krenaria e mbarë sportit shqiptar.