16 qershor 2015 –Trajneri i kombëtares sonë De Biazi ka folur për gazetën italiane "Corriere dello Sport" duke rrëfyer për momentin fantastik që po kalojnë kuqezinjtë nën drejtimin e tij. 

“Ndoshta të gjithë e kanë kuptuar se futbolli nuk është vetëm për vende të pasura. Paraja mund ta ndihmojë futbollin, por nuk e bën atë. Rritja e një kombëtareje të vogël si Shqipëria ka të bëjë me organizimin dhe mentalitetin kombëtar. Ne jemi një grup i përulur, që punon për të mirën e një kombi shumë krenar. Në Shqipëri kam zbuluar diçka të bukur dhe të çuditshme në mentalitetin e lojtarëve: në qoftë se ata përfundojnë në stol, nuk ndiejnë zili për ata që luajnë. Ata besojnë në idenë e unitetit dhe e dinë se mund ta dërgojnë për herë të parë Shqipërinë në finalet e një Kampionati Europian.”

Më pas De Biazi foli edhe për Hysajn.
“Ai është gati për Napolin. Është shumë i fortë dhe i shpejtë. Dhe pastaj, në qoftë se shkon në Napoli, atje ndodhet Sarri, një trajner i madh që e njeh atë mirë.”

Në fund nuk mund të mungonte edhe një koment për Januzajn.

“Ai zgjodhi Belgjikën për babanë, i cili kërkonte më shumë famë. Me ne nuk ka negociuar asnjëherë, është sjellur keq”, tha strategu i kombëtares sonë. 

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/