16 qershor 2015 – Lajmi pritej, tanimë është zyrtar. UEFA hapi një procedim disiplinor në drejtim të Kroacisë për shenjën e Svastikës, kryqit nazist që ishte vizatuar në fushën e Stadion Poljud të Splitit.
Episodi ndodhi të premten e kaluar, me rastin e ndeshjes kundër Italisë për kualifikueset e Euro 2016, që përfundoi 1-1. Kroacia, që nëpërmjet drejtuesve të Federatës shprehu hidhërimin për atë që ndodhi, tani duhet të përgjigjet për sjellje raciste.
Çështja do të merret në shqyrtim në 16 korrik nga Komisioni i Disiplinës së UEFA-s, i njëjti që bëri jo një por të dy veshët shurdh për thirjet raciste “Vrisni Shqiptarët” në Beograd gjatë ndeshjes mes Serbisë dhe Shqipërisë.
Kroacia udhëheq Grupin H me 14 pikë të mbledhura në 6 ndeshje, por tani rrezikon një ndëshkim të ashpër nga ana e UEFA-s, pasi në këto kualifikuese ecuria e kombëtares që udhëhiqet nga trajneri Kovac është njollosur edhe në raste të tjera si për shembull incidentet që u provokuan në “San Siro” nga tifozët kroatë në Nëntor dhe që kushtëzuan ndërprerjen për dy herë të ndeshjes me Italinë, si dhe për koret raciste në ndeshjen ndaj Norvegjisë, si pasojë e të cilëve u vendos që ndeshja e së premtes së kaluar në Split të luhej me dyer të mbyllura për tifozët.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/