13 qershor 2015 –Gianni De Biasi nuk mban asnjë sekret rreth formacionit që do të hedhë në fushë në miqësoren me Francën. Trajneri italian në konferencën e zakonshme për shtyp përmendi pa hezitim emrat e të gjithë lojtarëve që do të aktivizojë që nga minuta e parë, me dyshimin e vetëm në krahun e majtë të mbrojtjes, ku është projektuar titullar Naser Aliji.
“Besoj se do të luajnë Berisha, Hysaj, Cana, Ajeti dhe Aliji, për të cilin kam një dyshim, më pas Basha, Kace, Lila, Roshi, Cikalleshi dhe Lenjani”.
Barazimi i arritur nga Shqipëria në Rennes nëntorin e kaluar, por edhe humbja e Francës me Belgjikën pak ditë më parë, sipas De Biasit e kanë vënë nën presion Francën për të kërkuar shpagim në Elbasan Arena.
“Do të jetë një ndeshje krejt tjetër nga ajo që kemi zhvilluar në Rennes. E para sepse Franca kërkon shpagim për atë barazim, pastaj vjen edhe nga një humbje me Belgjikën në miqësore. Në Rennes ne ua bëmë jetën të vështirë, por tani ata na njohin më mirë dhe do ta përgatisin ndeshjen ndryshe.”
De Biasi është shumë i kujdeshëm edhe ku pyetet për objektivin që ka Shqipëria në këtë takim. “Objektivi kryesor është t’i bëjmë gjërat mirë, të rritemi më shumë në funksion të dy ndeshjeve eliminatore që do të zhvillojmë në shtator dhe që për mua mbetet thelbësore për rrugëtimin tonë drejt ëndrrës për t’u kualifikuar në finalet e Europianit. Sigurisht që në një ndeshje të tillë mund të qëndrojë edhe humbja, por ne kurrsesi nuk dëshirojmë të humbasim në këtë miqësore”.
Uron fitoren e parë në histori ndaj Francën, kapiteni Lorik Cana, për të cilin përballja me “gjelat” mbete gjithmonë e vecantë. “Për çdo përballje me Francën do të jetë e veçantë dhe kjo nuk është e vështirë për t’u kutpuar. Kam luajtur me dy klubet më të mëdha të Frandës, PSG dhe Marseille dhe Francën e kam shtëpinë time të dytë. Uroj që të marrim fitoren e parë ndaj këtij kundërshtari, por e dimë që nuk do ta kemi aspak të lehtë”.
Shtyrja e vendimit nga Gjykata e Arbitrazhit Sportiv në Lozanë të Zvicrës, sipas 31-vjeçarit nuk mund të ketë asnjë ndikim në atmosferën që mbizotëron në kampin kuqezi.
“Nuk kemi biseduar gjatë grumbullimit për vendimin e Lozanës. Ne nuk po i llogarisim fare ato tri pikë. Cfarë kemi patur në dorë për ta bërë tashmë e kemi bërë. Vendimi nuk është më dorën tonë.”
Në përfundim të konferencës për shtyp, trajneri dhe kapiteni iu bashkuan menjëherë skuadrës në stërvitje, të cilën De Biasi preferoi ta zhvillonte me dyer të hapura. Si asnjëherë më parë Gianni De Biasi ka vendosur ta konsiderojë këtë ndeshje si një shans për disa lojtarë që janë aktivizuar më pak në të shkuarën dhe thjesht si një ndeshje miqësore, pa ngarkesa psikologjike. Priten të luajnë nga minuta e parë: Berisha, Hysaj, Cana, Ajeti e Aliji. Në mesfushë Basha, Kaçe, Lila, Roshi dhe Lenjani, ndërsa në sulm do të jetë Cikalleshi.
Shqipëri-Francë luhet në "Elbasan Arena" dhe starton në orën 18:00.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/