11 qershor 2015 – Investimi i kryer në hamamin e Krujës ka ngjallur debat në radhët e intelektualëve me kreun e qeverisë. Ndoshta nuk do të merrej vesh edhe për ca kohë se çfarë ndryshimesh ishin bërë, nëse vetë Rama nuk do të postonte dy fotografi, si ishte dhe si është. “Hamami i Krujës, trashëgimi e shek. 15. Si e lanë barbarët në 23 qershor 2013 dhe si u kthye në identitet në 18 muaj”, shkruan kryeministri. Por, komentuesit reaguan, duke u shprehur se, antikja është antike dhe nuk mund të kthehet në sauna moderne. “Futi një suva edhe Bukuroshes së Durrësit se barbarët e kanë lënë si mos më keq! Po Butrinti me ato rrënoja? Ta shembim e ta bëjmë nga fillimi të bukur, si kulla e Korçës”, komenton kryeredaktori i një gazete të përditshme. Nisur nga këto reagime, Rama u ktheu përgjigje, duke fyer ndjekësit. Sipas tij, “kompetentët”, duhet ta dinë se është nxjerrë struktura origjinale e hamamit. Ndërkohë që vazhdon ironinë me fjalët: shijoni ndryshimin në drejtimin e duhur.
Por, a i nevojitet trashëgimnisë kombëtare një sauna moderne në mes të Krujës shekullore? Shikoni fotot dhe vlerësojeni vetë…
Agjencia e lajmeve “Dyrrah”