11 qershor 2015 – Pritja e gjatë është e destinuar të vazhdojë. Gjykata e Arbitrazhit Sportiv në Lozanë ka shtyrë sërish vendimin e shumëpritur në lidhje me ndeshjen Serbi-Shqipëri të 14 Tetorit të kaluar në Beograd. Vendimi që pritej të jepej këtë të Premte, vetëm një ditë para ndeshjes miqësore me Francën, tashmë sipas CAS do të jepet më 10 Korrik. Lajmi u konfirmua për Sport News nga avokati i FSHF,  Artan Hajdari. I pyetur për arsyet e kësaj shtyrje zoti Hajdari u shpreh se nuk ka ndonjë koment të mundshëm pasi në komunikimin që i është përcjellë Federatës nga CAS është bërë e ditur vetëm shtyrja e vendimit për në datën 10 Korrik pa përmendur ndonjë arsye specifike. Kjo është shtyrja e dytë që CAS ka bërë për vendimin e rëndësishëm. Fillimisht institucioni me seli në Lozanë bëri të ditur se vendimi do të jepej në 29 Maj por më pas pati një shtyrje për në datën 12 Qershor, ndërsa së fundmi bëri të ditur se ka patur një shtyrje tjetër dhe tani shqiptarët duhet të presin 10 Korrikun për t’u njohur me verdiktin e CAS, gjithmontë duke përjashtuar ndonjë të papritur tjetër.Megjithëse CAS nuk ka shprehur ndonjë motiv për shtyrjen e vendimit duke se ajo ka të bëjë me dokumentacionin voluminoz të paraqitur për këtë cështje, por edhe rëndësinë e saj të madhe specifike, duke kujtuar këtu se ankimimi i Shqipërisë përbën precedentin e parë të një cështje të tillë në tavolinën e Arbitrazhit Sportiv. Në këtë institucion, Shqipëria kërkon drejtësintë e munguar në organet e UEFA-s, që vendosën për t’i dhënë fitoren 3-0 në tavolinë Serbisë pavarësisht akteve të rënda të dhunës dhe racizmit në Beograd, duke ia hequr më pas pikët nga klasifikimi serbëve për ta kthyer praktikisht në nul ndeshjen e 14 Tetorit.Me Shqipërinë që shpreson të marrë 3 pikët në CAS, skuadrat e Grupit “I” do të mbeten ende në dilemë për renditjen e Grupit “I” të kualifikueseve, me ndeshjet e radhës që do të luhen më 13 Qershor kur Shqipëria pret Francën në një takim pa vlerë për sa i përket pikëve, ndërsa në të njëjtën datë Danimarka përballet me Serbinë në Kopenhagen. Gjithsesi pavarësisht vendimit që do të dalë nga selia e CAS, trajneri i Kombëtares Kuq e Zi, Gianni De Biasi e ka bërë të qartë se Shqipëria duhet të vijojë misionin e kualifikimit duke kërkuar rezultatin në takimet e mbetura, dhe në këtë këndvështrim edhe miqësorja ndaj Francës do të jetë një test i rëndësishëm për Kombëtaren Shqiptare.

 

 

Agjencia e lajmeve "Dyrrah"