· “Kurum”-i ka dhe 4 anije (një në shkarkim, tjetra në radë dhe rrugës, nga Libia, dy të tjera) me rreth 20 mijë tonë hekurishte
DURRËS, 10 qershor 2015 – Zhbllokohet pas 4 ditëve një anije me skrap, e mbajtur “peng” në Terminalin Lindor për shkak të refuzimit të koncesionarit gjerman që shkarkimin e mjetit lundrues ta bënte një kompani shqiptare e licencuar nga drejtoria e përgjithshme ekzekutive e Autoritetit Portual Durrës (APD).
Sikurse ka njoftuar “Dyrrah”-u (http://www.durreslajm.com/investigim/durr%C3%ABs-gjerman%C3%ABt-e-terminalit-lindor-bllokojn%C3%AB-29-vagon%C3%AB-treni-dhe-nj%C3%AB-anije), në një prononcim, më 9 qershor 2015, drejtori i përgjithshëm ekzekutiv i APD-së Gazmend Shalsi shprehu shqetësimin se koncesionari i Terminalit Lindor EMS APO nuk ka lejuar “Liburnet 1”, një nga tri kompanitë stivadore (ngarkim-shkarkim) të licencuara, të përpunojë anijen “Union” (IMO: 8502133). Mjeti lundrues është bregëzuar në kalatën nr. 10, qysh të premten, më 6 qershor 2015, me 2 031 tonë skrap. Shalsi tha se koncencionari pretendonte ta bënte vetë shërbimin e ngarkim-shkarkimit, duke mos qenë i licencuar nga APD-ja, sipas ligjit.
Me kërkesë të pritësit të mallit (jo “Kurum”-i), përfaqësuar nga agjencia detare, pasditen e 9 qershorit 2015, anija “Union” është larguar nga Terminali Lindor dhe është bregëzuar në kalatën nr. 2 të Terminalit Perëndimor.
Info
Ndërkaq grupi i fuqishëm metalurgjik turk “Kurum” (Elbasan) ka dhe 4 anije me lëndë të parë për furrat e shkrirjes me sasi gjithsej rreth 20 mijë tonë. Në kalatën nr. 6 po shkarkohet anija “Laguna” 4 500 tonë pllaka prokate, që është bregëzuar në mbrëmjen e 8 qershorit 2015. Në radë ndodhet anija “Ali B” me 6 900 tonë skrap, që do të shkarkohet në kalatën nr. 5, mbërritur në mbrëmjen e 7 qershorit 2015. Priten të mbërrijnë më 11 dhe 12 qershor 2015 dy anije të tjera me hekurishte nga porti libian i Misuratës. Ato janë “CPT Ahmad II” me 4 000 mijë tonë dhe “Ibla” me 4 500 tonë që do të përpunohet në kalatën nr. 5. Si “Union”-in, edhe 4 anijet e “Kurum”-it do t’i shkarkojë po stivadori “Liburnet 1”.
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/