10 qershor 2015 – Që prej emërimit në krye të pankinës së Teutës të Gugash Maganit, në kampin durrsak nuk ka pasur zhvillime të reja.Edhe pse ka çështje të shumta për t’u trajtuar si bisedimet mes presidentit dhe lojtarëve që u ka përfunduar kontrata që i mban lidhur me skuadrën e Teutës, gjithçka ka mbetur pezull.Pritet që kjo temë të trajtohet në ditët në vazhdim, pasi aktualisht ekipi nuk është në aktivitet dhe lojtarët prej disa ditësh janë lënë pushim.Ndoshta gjatë grumbullimit do të flitet për shtyrjet e kontratave dhe ndërprerjet e tyre me një pjesë të mirë të futbollistëve, të cilët nuk bëjnë pjesë në planet e teknikut të ri të Teutës.Gjithashtu, nuk ka pasur asnjë njoftim mbi ndonjë afrim të mundshëm që drejtuesit e klubit do të bëjnë për të përforcuar skuadrën për sezonin e ardhshëm, ku pretendimet janë për objektiva madhorë.

Paraprakisht, flitet për afrimin e disa lojtarëve cilësorë nga skuadra brenda dhe jashtë vendit dhe, gjithashtu, edhe për largime, por merkato është vetëm në ditët e saj të para dhe drejtuesit durrsakë nuk duan të nxitohen në vendimmarrjet e tyre.Nga ana tjetër, tifozëria durrsake pret me padurim të mësojë emrat e lojtarëve që tekniku Gugash Magani ka në plan për t’i sjellë në skuadrën e Teutës, apo edhe ata që nuk bëjnë pjesë në planet e peqinasit. Durrsakët pritet që të grumbullohen në fund të qershorit ose në ditët e para të korrikut për të nisur përgatitjet për sezonin e ardhshëm.Trajneri Magani ka bërë të ditur në momentin që u zyrtarizua në stolin e skuadrës durrsake se do të krijohet një ekip cilësor që të lërë gjurmë në kampionatin e ardhshëm. Durrsakët i shpëtuan rënies nga Superiorja në fund të kampionatit të kaluar dhe tashmë do të kërkojnë që të ndërtojnë një skuadër cilësore që të mos e diskutojë më qëndrimin në elitë. Pritet të ketë zhvillime në lidhje me merkaton gjatë ditëve të ardhshme.