9qershor2015 – Vetëm 5 minuta e shijoi publiku shqiptar lojën e mrekullueshme me violinë të Shkëlzen Dolit, mbrëmjen e 31 janarit të këtij viti. I pranishëm në koncertin “Tre tenorët”, violinisti shqiptar me famë botërore, rikthehet në Tiranë. Mbrëmjen e 13 qershorit, Doli do të jetë i pranishëm në Teatrin e Operas dhe Baletit me një numër të madh pjesësh. Artisti do të interpretojë në violinë pjesë nga opera "Le Nozze di Figaro”, “Koncert për violinë nr. 5″ nga Mozart, “Simfonia Nr. 5″ nga Bethoven, “Baresha” nga Rexho Mulliqi, përpunuar në violinë dhe orkestër nga Gerti Druga. Violina e Dolit do të shoqërohet nga Orkestra e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, nën drejtimin e dirigjentit Geoff Westley.
Të gjitha të ardhurat nga biletat shkojnë për Fëmijët e SOS Fshatrave të Fëmijëve, Shqipëri.
I lindur në Elbasan, rritur në Gjakovë dhe i shkolluar në Austri, Doli është një ndër violinistët më në zë jo vetëm të Vjenës, por dhe në skena të tjera botërore.
Shkëlzen Doli për publikun e gjerë u bë i njohur me orkestrale nga muzika popullore shqiptare që i prezantoi në Koncertin e Vjenës më 1 janar.
Agjencia e lajmeve “Dyrrah”