9 qershor 2015 –Ngjarjet e Beogradit nuk janë aspak rastësi. Serbët, kudo që ndodhen, tregojnë edhe një herë natyrën e tyre barbare. Në fund të pjesës së parë në ndeshjen miqësore mes Serbisë dhe Azerbajxhanit, serbët e pranishëm në stadium kanë vijuar për minuta të tëra me thirrje kundër shqiptarëve.
“Vritini shqiptarët”, ka qenë një kor i përsëritur për gati 10 minuta, duke krijuar një atmosferë terrori në stadium. Në atë çast, nuk ka pasur asnjë minutë ndërprerje të ndeshjes. Pak momente më vonë, serbët filluan të ofendonin edhe trajnerin azerbajxhanas dhe, në atë moment, u desh që ndeshja të ndërpritej disa minuta. Forca të shumta sigurie u shtuan në stadium, sikur ndeshja të ishte jo e vlefshme për futboll, por për të paralajmëruar ndonjë luftë. Gjyqtari i takimit e ndërpreu ndeshjen përpara kohe, pa dhënë as kohën shtesë, ndërkohë që ka justifikuar vendimin me temperaturat e larta. Ndërkohë që është ende i papërfunduar gjyqi për ngjarjet e Beogradit, tifozët serbë kanë treguar edhe një herë tjetër natyrën e tyre. Gjatë kësaj jave, pritet që KAS të zbardhë vendimin për ngjarjet e Beogradit, për të cilat federatat serbe dhe shqiptare kanë ankimuar vendimet kundër UEFA-s, në shkallën e fundit të drejtësisë sportive.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah’/