9 qershor 2015 –Hoze Murinjo nuk e kishte të nevojshme të përfitonte nga kaosi që ka përfshirë drejtuesit më të lartë të FIFA-s, për t’i sulmuar në mënyrë të drejtpërdrejtë. Se fitimi i titullit si trajneri i vitit 2012 ishte i manipuluar, trajneri portugez e kishte deklaruar shumë kohë më parë.
Trajneri i Çelsit është rikthyer të flasë edhe një herë tjetër për këtë çështje dhe si gjithmonë nuk e “kafshon” gjuhën kur i duhet të shprehë se çfarë mendon.
Gjatë një interviste për të përditshmen britanike “Sunday Times”, Murinjo ka theksuar edhe një herë tjetër se është i bindur se organi më i lartë i futbollit botëror i ka bërë një “puç”, duke mos i dhënë çmimin e trajnerit të vitit.
“Në vitin 2012, isha një mes tre finalistëve dhe më komunikuan se pas përfundimit të votimit u rendita në vendin e dytë me një diferencë shumë të vogël pikësh karshi fituesit. Si më i miri u kurorëzua Vinsente Del Boske, i cili fitoi me Kombëtaren spanjolle Europianin e atij viti, ndërsa unë u shpalla kampion me Realin”.
Akuzat deri në këtë pikë nuk ka asgjë për t’u çuditur, por Murinjo ka shtuar: “Një ish-lojtar i imi, kapiten në një nga kombëtaret, më mori menjëherë në telefon pas dhënies së çmimit duke theksuar se ishte bërë një gabim në numërim. Ai më tha:
‘Teksa pashë votimet, vura re se vota ime kishte shkuar për një tjetër trajner, kur në të vërtetë unë kisha votuar për ty’”, rrëfeu Murinjo.
Portugezi më tej vijoi të thoshte: “Më pas më ka telefonuar edhe një miku im, që drejtonte një përfaqësuese duke më thënë të njëjtën gjë. Edhe ai kishte votuar për mua, por si për çudi figuronte se kishte bërë emrin e dikujt tjetër për të fituar çmimin. Përfundimi është shumë i thjeshtë: Kush e ka ndryshuar votën? FIFA, është e logjikshme. Që pas asaj dite, nuk kam besuar më te një votim i ndershëm nga ana e FIFA-s. Në atë sezon, ishte e dukshme se diçka nuk shkonte, pasi dy miqtë e mi më konfirmuan të njëjtin version”.
Ndërsa lidhur me skandalin që ka përfshirë së fundmi drejtuesit e FIFA-s, Murinjo nuk ka kërkuar t’i hedhë më shumë benzinë zjarrit, teksa nuk ka pranuar të analizojë këtë çështje duke thënë shkurtimisht: “Mendimin tim për FIFA-n e dinë të gjithë, është e kotë të përsëris të njëjtat gjëra”.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/