4 qershor 2015 – Biznesmeni gjeorgjiano-izraelit, Amiran Dzanashvili, i cili u vu në qendër të vëmendjes ditët e fundit nga ish-kryeministri Berisha, ka reaguar për herë të parë përmes një deklarate për mediat.

Ai thotë se ajo çfarë është raportuar nga mediat në Shqipëri apo deklaratat e bëra nga ish-kryeministri Berisha, nuk qëndrojnë. Thotë që nuk është aspak e verëtetë që është arrestuar në Rumani.

Duke mohuar faktin se është përfshirë në pastrim parash, biznesmeni thotë se ndaj tij po hidhet baltë dhe se ndjen keqardhje që aktivitetet e tij po përdoren politikisht. Dzanashvili sqaron se ai ka bërë biznes të rregullt në Shqipëri dhe se për këtë ka paguar rregullisht taksat dhe nuk ka marrë ende fitime nga investimet. 

Gjithashtu ai sqaron se është takuar me Edi Ramën, Sali Berishën dhe Ilir Metën në Shqipëri e në Izrael.

Përsa u përket aksioneve të blerjes së kompanisë Xhoi Lloto, Dzanashvili garanton se ai ka bërë thjesht biznes dhe se nuk e dinte se Mark Frroku ishte i përfshirë në ngjarje kriminale. Thotë gjithashtu se nuk e ka mik Mark Frrokun.

Biznesmeni kërkon që media dhe politikanët të ndalin me akuzat e pabaza ndaj tij dhe bizneseve të tij, pasi në të kundërt shprehet se do të nisë betejën ligjore ndaj autorëve të akuzave.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/