3 qershor 2015 – Kompania me kapital tërësisht shtetëror OSHE dhe Albtelecom, kompani private turke me ortak minorance kapitalin shtetëror shqiptar (rreth 16% të aksioneve) prej disa javësh vazhdojnë përplasjet me njera tjetrën. “Goditjen” e parë e dha OSHE-ja duke i ndërprerë furnizimin me rrymë elektrike Albtelecom-it Dega Durrës. Ndërprerja u krye për mospagim faturash të energjisë elektrike nga Albtelecom-i.

Të martën ishte radha e revanshit të Albtelecomit. OSHE-ja Durrës e filloi punën pa sinjal telefoni dhe pa akses në internet, sepse Albtelecom-i u hakmorr duke i prerë internetin dhe dritat. OSHE-ja, që me ndihmën e policisë nuk la fakirfukara pa futur në burg për mospagesë apo edhe vjedhje energjie elektrike përfshirë këtu edhe një inxhinier banues në Shijak, por të punësuar në Albtelecom Dega Durrës, kishte “harruar” të paguante faturat e telefonisë fikse dhe të internetit të Albtelecom-it. Menjëherë Albtelecom-it, që i erdhi zogu në derë, iu kundërpërgjigj OSHE-së me të njejtën monedhë me “gërshërë” në dorë.

Faturën e sherreve OSHE-Albtelecom si zakonisht e paguajnë qytetarët duke pasur mungesa në shërbimet, që ofrojnë dy kompanitë, njera me 100% kapital publik dhe tjetra me kapital të përzier publik dhe privat. Mbetet për t’u parë si do vazhdojë ky sherr midis këtyre dy kompanive pikërisht në kulmin e fushatës elektorale.

/Gjergj Thanasi agjencia e lajmeve “Dyrrah”/