3 qershor 2015 – Pas publikimit në media, për lajmin e arrestimit të mësuesit nga Divjaka që abuzonte seksualisht me dhunë me nxënësen e tij, vjen dhe një reagim nga ana e drejtorit të shkollës. (Rreth këtij lajmi lexo këtu: Seks me dhunë me të miturën, arrestohet mësuesi)

Drejtori shprehet se, për mësuesin e arrestuar nuk ka pasur denoncime më parë. Ai madje thotë se mësuesi Demir Hoxha njihej si njeri i rregullt.

“Ngjarja është tronditëse, e mësuam nga mediat. Në 43 vite nuk kemi dëgjuar të ndodhë diçka e tillë. Ai njihej si njeri i rregullt. Jemi të shokuar nga ngjarja ”, është shprehur drejtori i shkollës i cili ka treguar më tej se mësuesi në fjalë jepte mësim në ciklin fillor, ndërsa familja e nxënëses së abuzuar ishte e ardhur nga fshatrat e Gramshit.

Mësuesi ballafaqohet me nxënësen, pranon abuzimin

Ndërsa në ambientet e policisë në Komisariatin e Lushnjës ka pasur një ballafaqim mes mësuesit të arrestuar dhe nxënëses së abuzuar me kamera të fshehta. Demir Hoxha ka pyetur 12-vjeçaren se përse u ka treguar prindërve duke thënë se në rast se do të kishte mbetur shtatzënë do ta dërgonte në spital për të abortuar.

“Pse u tregove prindërve? Nëse do të kishte mbetur shtatzënë do të dërgoja në spital të abortoje”, i është drejtuar mësuesi 62-vjeçar nxënëses së mitur.

/S.L. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/